Përballja me Tiranën kryesuese është shumë e rëndësishme për Kukësin, pasi një fitore do të konsolidonte pozitat e verilindorëve në zonën e Europës dhe do të merrnin një tjetër stimul moral për vazhdimësinë. Për ishlojtarin dhe kapitenin e kësaj skuadre, Ylli Shameti, Kukësi duhet të tregojë se pavarësisht diferencave me pikë, ka qenë një pretendente serioze për titull, ndaj e sheh si detyrim fitoren.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Shameti pohon se ishte një rastësi humbja e thellë fazën e dytë dhe kjo ndeshje do të jetë një tjetër histori. Në fund, si një kapiten, ai jep këshilla edhe për vetë lojtarët, të cilët duhet të marrin më shumë përgjegjësi dhe të minimizojnë sa të mundin gabimet.

Ylli, si e shihni përballjen e Kukësit me Tiranën?

Është një përballje që mendohej se do të kishte rivalitet të fortë në këtë pikë të kampionatit, duke nisur nga objektivat e vendosur në fillim. Por, tashmë me këtë diferencë të madhe pikësh, Kukësi duhet të tregojë se ka qenë vërtet pretendent për titull. Pra, fitorja është detyrim.


Në ndeshjen e kaluar kanë fituar bardheblutë 4- 0. Mund të bëjë diçka ndryshe Kukësi në këtë sfidë?

Jam i mendimit se ka qenë një rastësi fitorja me shumë gola, pavarësisht se ekipi i Tiranës bëri një ndeshje shumë të mirë. Nuk besoj se do të përsëritet.

A është ky një test i rëndësishëm për të parë forcën reale të Kukësit?

Patjetër, e thashë edhe pak më lart që Kukësi duhet të bëjë një ndeshje perfekte, që të tregojë se ishte një nga pretendentët për titull këtë sezon.


Verilindorët e nisën mirë sezonin, por çeduan rrugës. Pse ndodhi kjo?

Mendoj se kanë bërë shumë gabime individuale në momente kyçe të kampionatit, të ardhura ndoshta edhe nga mungesa e eksperiencës apo lidershipit në ekip. Secili, në bazë të vendit që ka në ekip, duhet të mbajë përgjegjësi dhe mbi to duhet të japë performancën e duhur për të arritur objektivat.


Në gjykimin tuaj, duhet ta konsiderojë të suksesshëm sezonin Kukësi vetëm me kapjen e Europës?

Pasi humbi mundësinë vitin e kaluar për të marrë pjesë në Kupat e Europës, mendoj se ky do të ishte objektivi minimal i arritur në gjithë këto vite që nga momenti që kanë hyrë në Superligë. I suksesshëm do të thosha nëse minimalisht do të fitonte Kupën ose kampionatin, për nga mënyra se si u ndërtua dhe pritshmëritë për këtë ekip të treguara në pjesën e parë të sezonit.


Keni ndonjë këshillë për skuadrën në këto javë të mbetura?

Unë jam me atë që fundi mbahet mend dhe mund të jetë shumë e rëndësishme performanca që ekipi do të bëjë në fushën e lojës. Ndonjëherë loja e bukur kalon në plan të dytë në raport me pikët e plota dhe minimizimin e gabimeve. Thjesht të marrin më shumë përgjegjësi dhe secili të bëhet protagonist për mirë.