“Goli ishte 100% i rregullt. Rasti i Aralicës në Partizani-Vllaznia nuk jepet faull as në basketboll”. Kështu mendon Lorenc Jemini, ishgjyqtari i FIFA-s dhe një prej më mirëve në dy dekadat e fundit në Shqipëri.

Pas polemikave për anulimin e golit të shkodranëve në fundin e lojës,“Panorama Sport” foli me Jeminin për të marrë një mendim specialisti gjykimi, duke argumentuar pse arbitrat gabuan, duke filluar nga ai në fushë, Olsi Ferataj, si dhe Andi Koçi në VAR.


Lorenc, çfarë përshtypjeje ju bëri rasti i anulimit të golit në Partizani-Vllaznia?

E kam parë me qindra herë rastin dhe kam arritur në konkluzionin se nuk ka faull. Arbitri kryesor, Ferataj, deri në atë moment ishte OK me menaxhimin që i bëri lojës, por çudia më e madhe është që nuk besoi tek ajo që pa vetë në fushë, por te kolegu i tij që ishte në VAR.


Ju mendoni se nuk kishte faull, por mund të na e argumentoni pak teknikisht pse goli nuk duhej anuluar?

Sulmuesi i Vllaznisë, Aralica, nuk bën asnjë veprim që mund të përfitojë përtë kërcyer me kokë më lart se kundërshtarët, në rastin konkret ndaj Belicës dhe Matondos. Ai nuk vendos as bërrylin dhe as duart ndaj kundërshtarëve, ndërsa kontaktin me ta e ka në pikën më të lartë, pikërisht aty ku ka goditur topin me kokë. Aty vendos dorën që po kërcen, sepse nuk ka ku ta çojë, pasi është duel ajror. Lojtarët e Partizanit nuk janë futur as në dyluftim. Ku është faulli këtu?!

Drejtori i Partizanit, Olsi Rama, pretendon se faulli është bërë te Matondo…?

Po, e pashë me vëmendje edhe këtë moment. Duket sikur ka një lloj kontakti, por ai vjen pasi sulmuesi i Vllaznisë po kërkon të depërtojë, pra të kërcejë me kokë. Nuk është se Aralica e ka mbajtur apo ka peshuar te Matondo për të bërë faull. Lojtari i Partizanit e kishte mundësinë të dyluftonte, por nuk mund të themi se nuk e lejoi Aralica, pasi ky i fundit i vodhi kohën.

Pastaj, futbolli është lojë me kontakte. Ky rast edhe në basketboll nuk është faull. Aralica u ngrit në ajër, goditi me kokë dhe gjatë kërcimit, patjetër që dora mund të ketë ndonjë prekje te kundërshtari, por kjo nuk përbën faull.