Orges Shehi me shumë mundësi do të jetë trajneri i ri i Partizanit. Burime pranë klubit të kuq bënë me dije për “Panorama Sport” se është arritur një marrëveshje në parim, por për shkak të situatës së krijuar pas “divorcit” me Tiranën dhe për shkak se ndeshja e radhës është derbi, të dyja palët po përpiqen të marrin kohën e duhur.

Klubi i kuq nuk e ka mohuar asnjëherë interesimin për 46-vjeçarin, por nga ana tjetër ka bërë kujdes që të respektojë jo vetëm situatën me Zekiçin, por edhe të mos krijojë një atmosferë që mund të vinte trajnerin nën presion.

Kujtojmë se klubi i Tiranës këmbëngul se Shehi është i pezulluar dhe jo i shkarkuar, duke i vënë në dukje atij kontratën që e mban lidhur deri më 31 maj.

Gjithsesi, drejtuesit e kuq e kanë marrë parasysh edhe këtë fakt dhe do të presin me durim (pse jo të përdorin raportet e mira që kanë me bardheblutë për t’i dhënë një zgjidhje kësaj situate gjatë ditëve të ardhshme.