Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur për Oversport pas fitores së Superkupës përballë Vllaznisë.

“Është kënaqësi që e nisin sezonin me një trofe. Trofeu mbetet trofe dhe duhet shijuar, sepse është frut i suksesit të një viti më parë. Një trofe i shtuar si për ne edhe për klubin është diçka e mirë që na jep shumë frymëzim për të ardhmen.

Sa do ndihmojë kjo sfidë për kampionatin? Pas një periudhe pushimi, jo gjithmonë gjendja është optimale. Është një trofe që na bën krenarë, sepse vazhdojmë të shkruajmë emrin në historinë e këtij klubi të madh. Ky sukses shërben edhe për të rinjtë, që kuptojnë mentalitetin fitues të këtij klubi. Edhe pse skuadra ka ndryshuar është një trofe që rrit vetëvlerësimin. Ishte një ndeshje e bukur, sepse gjithmonë kundër Vllaznisë zhvillohen lojëra të bukura.

Ismaljgeli në rolin e ri? Menduam ta aktivizojmë aty për shkak të aftësive të tij. Sepse ai na jep superioritet në mesfushë. Kjo ishte zgjedhje vetëm për këtë ndeshje, por në sfidat e ardhshme mbetet për tu parë.

Kujt i ngjan Tirana nga ekipet e Botërorit? Keni shkuar shumë larg. Mundohemi të ndryshojmë çdo ndeshje. Nuk mund të krahasohemi me ekipe të atij niveli. Kjo fitore shërben si pikënisje. Kemi shumë ndeshje. Duhet të festojmë sot dhe nesër të mendojmë për punën, sepse ka shumë ndeshje që do të luajmë në pak kohë. Diferenca me skuadrat nuk është e madhe dhe ne duhet të punojmë që të jemi në lartësinë e duhur”, ka thënë Shehi.