Tirana përballet në fundjavë me Dinamon në sfidën e javës së 26-të të “Abissnet Superiore”. Në konferencën për mediat, Orges Shehi foli për këtë përballje.

Skuadra mund të ndryshojë modul? – Është e vërtetë që kemi një distancë me ndjekësin tonë më të afërt prej 10 pikësh. Ne do të fokusohemi te vazhdimësia dhe nuk do të mendojmë se çfarë distance kemi. Sigurisht kur mbarohet ndeshja atëherë bëhen llogaritë, por unë mendoj se kemi dhe 11 pengesa dhe e para është ajo e nesërmja pa e marrë parasysh distancën që kemi.

Më pak i parashikueshëm ekipi i Dinamos? – Sigurisht që ndryshimi i trajnerëve të konfuzon pak, sepse kur ke një trajner që ka kohë që ka punuar aty ke një panoramë më të qartë. Ndryshimi i trajnerit ndikon mirë në motivimin e lojtarëve, por na ngelet ne pastaj për të parë se çfarë bën kundërshtari dhe të marrim masat. Duhet të jemi të vëmendshëm dhe të qetë për të marrë masat.

Tirana ka kryesuar përballë Dinamos këtë sezon. – Kemi bërë kampionat të mirë, përfshirë dhe kundër Dinamos. Kemi marrë maksimumin. Këtë kërkojmë dhen nesër. Dinamo ka lojtarë cilësorë por situatat ndryshojnë dhe nga ndeshja në ndeshje nuk i ngjan. Është kundërshtar që kam vlerësim maksimal për cilësinë që ka brenda. Nisur nga kjo ne kemi vazhdimësinë tonë.

Ndikojnë katër ndeshje jashtë? – Unë mendoj që kampionati këto përballje të ofron. Fazë pas faze në bazë të kalendarit do të luash jashtë dhe brenda. Me mbylljen e “Air Albania” ne pothuajse do t’i kemi të gjitha ndeshjet jashtë deri sa stadiumi jonë të jetë gati. Deri sa të shkojmë te transfertat e tjera do kohë.

Ka diçka më tepër me largimin e Fagut? – Ishim të përgatitur, sepse çdo njeri bën planet e veta dhe ndryshon dinamika e jetës. Ai do të marrë impenjime të tjera familjare jashtë Shqipërisë. Mendoj se është shpejt të marrim organika të reja në staf.

Kujt mund t’i frikësohet Tirana? – Janë 11 javë, 33 pikë në lojë. Ne duhet t’i frikësohemi vetes tonë. E kemi garën me veten tonë se sa me rivalët. Duhet t’i frikësohemi kësaj, përqendrimit , vlerësimit, impenjimit. Këto janë të rëndësishme, jo vetëm kur je 10 pikë por edhe më pak. Duhet të vazhdojmë me të njëjtin impenjim.

Vitin tjetër me Tiranën? – Presidenti i merr vendimet. Nuk është kjo epiqendra e situatës. Epiqendra është transferta e nesërme. Te Tirana trajnerët shkojnë e vijnë. E rëndësishme është të arrijmë objektivin, që të bëjmë krenar tifozët, klubin, lojtarët. Tani është fryti i kësaj pune të palodhshme.

50 ndeshje – Është privilegj të jesh trajner i Tiranës. Është kënaqësia më e madhe. Unë vij në punë sikur jam gjithë jetën këtu dhe iki sikur të jetë dita e fundit. Çdo trajner do të donte të ishte pjesë e këtij klubi të madh.