Fiorin Durmishaj është një nga zbulimet e viteve të fundit në kampionatin grek, ku vesh fanellën e Panionios. Por pavarësisht aktivizimit të rregullt apo golave që ka shënuar në Greqi, grumbullimi i tij me ekipin Shpresa ka qenë me pikatore, ndërsa me Kombëtaren A, ai nuk u ftua asnjëherë.

Në fakt, lojtari mori një ftesë pak ditë më parë, për t’iu bashkuar në momentin fundit kuqezinjve. Por sulmuesi nuk mund të vinte në grumbullim, pasi po kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak për t’u pajisur me pasaportën greke dhe nuk mund të largohet nga territori i Greqisë.

Gjithsesi, edhe pa shkëlqyer në arenën ndërkombëtare, lojtari ka spikatur gjatë këtyre viteve në Greqi dhe nuk është rastësi që një prej klubeve më të mëdha në këtë vend, Olimpiakos, ka piketuar futbollistin shqiptar.

Sipas medieve greke, klubi e ka vënë lojtarin në listën e dëshirave për të ardhmen e afërt dhe në janar, apo në verë, do të bëjë ofertë zyrtare për të transferuar sulmuesin.

Klubi i Panionios, duke parë se vlera e kartoni të lojtarit është rritur, tani duket i gatshëm ta shesë atë, ndërsa më parë kishte refuzuar oferta nga Kroacia për sulmuesin e talentuar. /vipsport/