Ditën e sotme u mbajt Asambleja e Përgjithshme mes Federatës dhe përfaqësuesve të klubeve online. Në këtë mbledhje u diskutuan disa çështje dhe u hodhën në votim të tjera, që mesa duket mbrapa do të ketë kontestime dhe dyshime edhe mbi mënyrën e votimit. I pari që reagon fuqishëm mbi atë çka ndodhi në Asamble është Andi Lila, kryetari i Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë.
Ky i fundit ka prekur disa çështje të diskutuara, por edhe të padiskutuara në Asamblenë online të mbajtur sot. E padiskutuara është një propozimi i kontratës kolektive, që SFPSH ia ka dërguar prej kohësh FSHF, por kjo çështje nuk mori asnjë sekondë kohë në mbledhjen e sotme vjetore. Çështja tjetër është heqja e Kamzës nga anëtarësia e FSHF, për të cilën Lila hedh edhe dyshime për shembjen e stadiumit, aq të përfolur prej ditësh.
Më pas, ish-mbrojtësi i kombëtares ka një thirrje për presidentët e klubeve, që sipas tij ankohen vazhdimisht nëpër studio televizive dhe nuk e bëjnë këtë në Asamblenë kushtuar atyre. Në fund kryetari i SFPSH shkruan edhe për çështjen e votimit, i cili sipas tij ndodhi sikur futbolli shqiptar të mos kishte asnjë problem. Sipas Lilës votim real në Asamble do të ketë vetëm kur të zgjidhet presidenti dhe Komiteti Ekzekutiv i FSHF. /vipsport/
REAGIMI:
Me keqardhje të thellë ndoqa sot punimet e Asamblesë së FSHF. Kjo jo vetëm për mënyrën e organizimit por edhe për disa nga vendimet që kjo asamble mori. Më erdhi keq për Kamzën që tani nuk është anëtare e Asamblesë së FSHF dhe rrjedhimisht as stadium nuk duhet te ketë. Më erdhi keq që në asnjë moment në këtë Asamble nuk u përmend se Sindikata e Futbollistëve Shqiptare ka kërkuar nisjen e bisedimeve për kontratën kolektive.
Më erdhi shumë keq që as Drejtori i departamentit juridik të FSHF z.Alibeaj, megjithëse ka një kopje të kontratës kolektive nuk tha asnjë fjalë për të.
Sot kam disa pyetje për ju Z.Alibeaj : Këto ndryshime që ju propozuat dhe Asambleja i miratoi ,kujt i shërbejnë?
Përfaqësuesit e Futbollistëve në këto komisione përsëri FSHF-ja do ti caktojë.
Z.Alibeaj si jurist me eksperiencë që jeni, a mund të më thoni, edhe publikisht, se kontrata kolektive e propozuar nga ana e Sindikatës a është në të mirë të futbollit apo e dëmton atë.
Z.Alibeaj, ju që vini nga radhët e te persekutuarve, a mund të më thoni se cilët janë më të persekutuarit në futbollin Shqiptar.
Më erdhi shumë keq që në asamblenë e FSHF ku duhet të qahen edhe hallet e futbollit asnjë nga klubet nuk flet ndërsa në studio televizive bëjnë namin.
Të nderuar presidentë dhe përfaqesues të klubeve, nëse nuk diskutuat sot për vështersitë reale financiare që po kaloni, për penalizimet që keni marrë nga arbitrat, për reformën ekonomike në sport e cila ka ngecur apo për privatizimin e klubeve në varësi të Bashkive, të cilat janë hallet e vërteta të futbollit atëherë nuk keni të drejtën morale të ankoheni as në studio televizive dhe as në qeveri.
Dhe gjëja e fundit për të cilën më erdhi keq ishte fakti se gjithmone votuan pro 99.99 % e anëtarëve të asamblesë.
Më vjen shumë keq ta besoj se asambleja e FSHF do të ketë votim real vetëm kur zgjidhjet Presidenti dhe Komiteti Ekzekutiv i FSHF, votim për interes individual. Ndërsa kur votohet për futbollin votohet sikur në Shqipëri futbolli nuk ka asnjë problem. Andi Lila