Pas intervistës që tronditi mbarë opinionin sportive, me gazetarin, Piers Morgan, Kristiano Ronaldo duket se e ka mbyllur parakohe aventurën e tij me Mançester Junajtid.

Fanella që Kristiano Ronaldo kishte veshur në paraqitjen e tij të fundit ndaj Aston Vilës në kampionat u shit në ankand për mbi 39 mijë paund. Ylli portugez gjatë bisedës me gazetarin britanik, sulmoi të gjithë: klubin, trajnerin, aksionerët e klubit dhe disa ish-shokët e skuadrës.

Djajtë e Kuq nuk kanë heshtur dhe orët e fundit përmes një deklarate kanë bërë të ditur se janë marrë masat e duhura: “Sot në mëngjes Mançester Junajtid ka nisur marrjen e masave të duhura në përgjigje të intervistës së fundit për mediat e Kristiano Ronaldo. Nuk do të bëjmë asnjë koment të mëtejshëm derisa ky proces të arrijë në përfundimin e tij”.

Vlen të theksohet se rikthimi i Ronaldos te Junajtid nuk ishte aq i lavdishëm sa shumë prisnin. Sezonin e kaluar, sulmuesi shënoi 18 gola, por pas ardhjes së Ten Hag ai gjeti gjithnjë e më pak hapësirë.