Vllaznia ka shfaqur luhatje të mëdha në këtë edicion që para një jave mbylli edhe fazën e parë. Shkodranët nuk kanë plotësuar pritshmëritë e shumë kujt në qytet dhe jo vetëm. Kjo pasi të gjithë presin që kjo skuadër të tregojë potencialin real, duke parë edhe vetë përbërjen e lojtarëve që ka ekipi.

Skuadra në tërësi nuk ka shfaqur atë futbollin e bukur, pavarësisht se pikët janë marrë dhe kuqeblutë janë vetëm 5 pikë larg vendit të parë. Por nëse ka një që duhet parë me kujdes dhe duhen bërë korigjime direkte është ai i mbrojtjes. Kjo pasi Vllaznia ka pësuar 10 gola në 9 javë.

Që është një shifër e lartë për një skuadër që pretendon vendet e para të renditjes. Më shumë gola se kuqeblutë ka pësuar vetëm Teuta e vendit të fundit me 15 të tillë e po ashtu Laçi ka pësuar po 10 të tillë. Gjithashtu vetëm dy ekipe nuk i kanë shënuar ekipit të Joses në këtë edicion në fazën e parë.

Ato janë Kastriotit në fitoren 1-0 të Vllaznisë dhe Teuta në barazimin 0-0. Shifra me të vërtetë shqetësuese për të cilat patjetër stafi dhe lojtarët duhet të punojnë për ti përmirësuar. E duke filluar që nga nisja e fazës së dytë këtë fundjavë kundër Erzenit, shpresat për të parë një Vllazni tjetër janë të mëdha.
Endri ÇINARI