Një lajm disi i çuditshëm ka qarkulluar mbrëmjen e sotme në opinionin sportiv shkodran. Trajneri i ekipit të basketbollit të meshkujve të Vllaznisë Bledar Gjeçaj është larguar nga kjo detyrë. Nuk dihet se cilët kanë qenë shkaqet e vërteta megjithatë burime pranë tij thonë se ai është larguar për shkaqe familjare. Në fakt nuk ka sesi të jetë e vërtetë kjo. Gjeçaj ka drejtuar mbrëmë skuadrën në ndeshjen e parë të kampionatit duke fituar ndaj Apolonisë dhe është dukur shumë i motivuar në punën e tij duke e patur kryesisht mendjen tek ndeshja e ardhshme e Ligës Ballkanike me Mornar të Tivarit. Të pyetur në lidhje me largimin e Gjeçajt, drejtues të klubit shumësportësh Vllaznia thonë se kjo çështje ka të bëjë me drejtuesit e shoqatës së basketbollit. Pikërisht për këtë pritet që nesër, presidenti i kësaj shoqate Sokol Dibra të konfirmojë zyrtarisht largimin e Gjeçajt apo jo nga pankina shkodrane. Një gjë është e sigurtë: Mes palëve ka patur një krisje orët e fundit megjithatë kjo mbetet për t’u konfirmuar ditën e nesërme.
© shkodrasport.com