Vllaznia në volejboll për femra ka arritur të marrë fitoren e parë në kampionat. Pas humbjes së pësuar në ndeshjen e parë, atë të luajtur në Korçë me Skënderbeun, në javën e dytë ajo ka patur përballë ekipin e Studentit. Ndeshja është luajtur mesditën e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe është mbyllur shpejt me fitoren e vajzave kuqeblu me rezultatin e pastër 3-0.

Volejbollistet e drejtuara nga trajnerja Sadije Gogaj kanë dominuar takimin në të gjitha drejtimet duke sfiduar kundërshtarin. Seti I parë është mbyllur me rezultatin 25 me 14 ndërkohë që në të dytin epërsia është edhe më e madhe dhe vajzat kryeqytetase kanë arritur të shënojnë vetëm 12 pikë përballë 25 të Vllaznisë. Kjo epërsi është ruajtur edhe në setin e tretë që ka përfunduar 25-15 dhe krejt ndeshja kështu me fitoren e vendaseve 3-0.Me këtë fitore, Vllaznia ka treguar se do të mundohet të bëjë një paraqitje sa më të mirë në kampionat, natyrisht duke mos qenë në rangun e ekipeve pretendente por për t’u renditur në mesin e tabelës së renditjes.
Gjergj KOLA