Shkëlqim Muça ka në pal maresin e tij trofe pa fund si lojtar e trajner dhe në prag të nisjes së sezonit të ri futbollistik, për “Panorama Sport” bën një skaner të futbollit shqiptar. Paraqitjen e fundit të klubeve në Europë e quan ndër më të dobëtat, ku na kanë kaluar edhe shtete të vogla e pa traditë. Ndaj, ai kërkon që të rritet sa më shpejt të jetë e mundur niveli i Superiores e më pas edhe paraqitjes në Europë.

Ish-trajneri kampion me Tiranën sqaron edhe arsyet pse teknikët vendës nuk trajtohen seriozisht. Sa i përket sezonit të ri, Muça pohoi se duhet të kalojnë të paktën gjashtë javët e para për të kuptuar trajektoren, ndonëse klubet serioze dihet se kush janë. Në fund ish-lojtari i Tiranës analizon edhe klubet me emër që kanë përfunduar në Kategorinë e Parë dhe keqmenaxhimi që bëhet me akademitë, ku më shumë shikohen si përfitim për të mbajtur ekipin e parë.

“Kanë ndryshuar kohët. Nuk janë më kohët kur qytetet e mëdha investonin më shumë në ekipe. Sot futbolli është biznes, varet nga ai që ka para, ai që krijon klube me akademi të forta, me traditë. Këtu asnjë nga klubet nuk e ka krijuar këtë lloj tradite që të ketë qëndrueshmëri. Qyteti mund të jetë i madh, por nuk janë ndërtuar akademi të mirëfillta. Nuk ka pasur angazhim nga ata që e kanë pasur në varësi për të ndërtuar një skuadër për të përfaqësuar qytetin. Ndoshta janë lënë në mëshirë të fatit, ndoshta në dorë të njerëzve joprofesionistë.

Janë gabime të bëra nga ata që kanë pasur klubet në administrim, nuk ka lidhje me emrin. Sot është koha që duhen gjetur sponsorë, njerëz të fuqishëm që janë profesionistë dhe që dinë të ndërtojnë klube, dinë të menaxhojnë skuadrat, por kanë edhe para. Në Shqipëri ka një gjë shumë të mirë, që fëmijët e duan shumë futbollin, por varet si i trajton dhe si i rrit ata. Nëse i trajton ekipet e akademisë si burim për të rritur të ardhurat e mbyllur “vrimat” për ekipin e parë, kjo është skandaloze”- eshte shprehur Muça.