Kosova, Mali i Zi, Bullgaria, Maqedonia, Shqipëria dhe shtete të tjera të rajonit do të jenë pjesëmarrës në turneun e 18-të “Memorial Vllaznia 2022”, që do të zhvillohet për dy ditë me rradhë, ditën e nesërme dhe të shtunën në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Në memorialin e sivjetshëm ndërkombëtar të boksit që do të zhvillohet në Shkodër do të marrin pjesë mbi 10 shtete me boksierë shumë cilësorë. Të gjithë këto shtete kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Në këtë memorial që zhvillohet për të 18-tin vit me rradhë, do të marrë pjesë edhe Kombëtarja e Shqipërisë, e cila është grumbulluar në qytetin tonë.

Memoriali i 18-të ndërkombëtar do të startojë ditën e nesërme dhe do të zhvillohet për dy ditë me rradhë. Ky është një aktivitet që organizohet çdo vit nga Bashkia Shkodër, klubi Vllaznia dhe Federata Shqiptare e Boksit, në nderim të disa figurave të boksit shkodran që nuk jetojnë më.

Takimet eleminatore të turneut ndërkombëtar të boksit “Memorial Vllaznia 2022”, startojnë pasditën e së nesërmes, duke filluar nga ora 17:00, me ballafaqimet gjysëmfinale. Ndërkohë, dita e dytë është planifikuar të zhvillohet në orën 11:00 të paraditës së shtunë, ditë kjo që do të ballafaqojë në ring boksierët më të mirë finalistë të çdo peshë, ku do të përcaktohen edhe kampionët individual si edhe klasifikimin ekipor.

Maringlen ZHIVANI