Dinamo pezulloi mbrojtësin Eni Imami pas humbjes së fundit ndaj Egnatias, teksa sipas klubit, ai kishte refuzuar të luante.

Për Imamin ky është ndëshkimi i dytë brenda një kohe të shkurtër, pasi fillimisht u pezullua dhe u stërvit pak ditë me Dinamon U-21 pas derbit me Tiranën. Më pas u fal dhe pas pak ditësh u urdhërua të stërvitej me ekipin U-19.

Vetë mbrojtësi 29-vjeçar nuk ka reaguar pasi rrezikon të gjobitet nga klubi nëse flet për mediat, por agjenti i tij, Mario Cenolli, ka folur dje për “Panorama Sport” rreth situatës së Imamit. Ai mohon kategorikisht që futbollisti të mos ketë pranuar të luajë kundër Egnatias, ndërsa ka një mesazh edhe për drejtuesit e klubit.

“Pezullimi i Imamit nuk është një vendim i drejtë i marrë nga klubi i Dinamos. Të çosh një lojtar me kaq eksperiencë tek ekipi U-19 mendoj se është diçka e ekzagjeruar.

Nëse ka bërë gabime, ai ka kërkuar falje, por absolutisht nuk mund të pranojmë atë që ka thënë klubi se Imami ka refuzuar të luajë në ndeshjen kundër Egnatias. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Gjëra të tjera edhe mund të qëndrojnë përfshi ndonjë debat me shokët e ekipit, një fjalë më pak apo më shumë në stërvitje.

Në futboll ndodhin këto, por nuk ka shanse që Imami të ketë refuzuar të luajë. Ju them me bindje se ka qenë në dispozicion të trajnerit, por Vanoli ka preferuar të zgjedhë lojtarët të tjerë në formacionin e Dinamos dhe jo Imamin. Kjo është e gjitha”, ka thënë fillimisht Cenolli.

Por si mund të zgjidhet kjo çështje, në një kohë që klubi po kalon një moment dramatik në kampionat?! Menaxheri i FIFA-s jep këtë përgjigje:

“Imami vazhdon të jetë në dispozicion të trajner it, pasi është profesionist dhe po stërvitet aty ku e kanë dërguar. Mendoj se në çdo moment kur t’i kërkohet do të japë maksimumin për Dinamon”. Në fund, gjatë bisedës telefonike nga Zagrebi, Cenolli foli edhe për numrin një të klubit, Adrian Bardhi.

“Presidenti i Dinamos ka qenë shumë korrekt me lojtarët deri në këto momente. Duke e njohur personalisht zotin Bardhi, ai është një person shumë pozitiv, por me sa duket, rrethohet nga njerëz që nuk kanë fare lidhje me futbollin. Mendoj se kjo është keqardhja më e madhe”, përfundoi Cenolli.