Gjysma e fazës së parë në Superiore tashmë është mbyllur dhe këto javë kanë dhuruar disi surpriza. Kjo pasi në pjesën e lartë të renditjes ka skuadra si Erzeni, Bylis apo Egnatia që realisht askush nuk i ka pritur në këto nivele. Dhe ekipe si Vllaznia apo Tirana me luhatje deri më tani.

Ndërsa skuadra si Laçi, Kukësi dhe Teuta janë në krizë në këtë fillim edicioni. Loja e disa skudrave nuk ka qenë në nivelin e duhur, ku edhe golat duket se do jenë sërish një problem këtë kampionat. Në 4 javë e para janë shënuar 33 gola, ku krye golashënuesi për momentin është Xhuliano Skuka me 3 gola. Por ka një varfëri në Superiore përsa i përket golave nga shkodranët.

Vetëm 2 gola janë shënuar deri më tani nga shkodranët. Kështu ka realizuar Rubin Hebaj për Teutën në barazimin 1-1 kundër Bylis. Dhe së fundmi Aleksandër Trumçi në fitoren 0-1 të Bylis ndaj Laçit. Shumë pak për një qytet si Shkodra që në vite i ka dhuruar kampionatit bomberat më të mirë në qarkullim.

Për tu ndalur tek Vllaznia, as aty ende asnjë shkodran nuk ka shënuar. Kanë kaluar 4 javë nga starti i kampionatit dhe askush i formuar tek akademia kuqeblu nuk ka gjetur rrjetën. Kjo tregon edhe njëherë për ndryshimet e shumta në futbollin tonë prej vitesh, ku lojtarët më të mirë largohen dhe ekipet mbushen me futbollistë të huaj.
Endri ÇINARI