Tjetër gol me peshë për sulmuesin shkodran Jasmin Rraboshta. Ai ka shënuar edhe këtë javë për skuadrën e tij, Erzeni, duke kontribuar në fitoren e saj në shifrat 2-1 ndaj ekipit të Tomorit, në ndeshjen e vlefshme për kampionatin e Kategorisë së Parë, në kuadrin e javës së 24-të.

Ndërkohë, përveç golit të Rraboshtës, golin e parë për ekipin shijakas, e ka shënuar një shkodran tjetër. Fjala është për Ersil Ymerin, teksa edhe mesfushori luan në këtë skuadër. Ka qenë minuta e 10-të, kur Ymeri ka kaluar në avantazh ekipin e Erzenit.

Pjesa e parë u mbyll me këto shifra, ndërkohë që në të dytën, më konkretisht në minutën e 55-të, Erzeni ka fituar të drejtën e një 11-metërshi dhe atë e ka marrë përsipër për ta ekzekutuar Rraboshta, i cili është lojtari që ka shënuar më shumë gola për ekipin shijakas, teksa menjëherë pas tij, vjen shkodrani tjetër Ersil Ymeri.

Rraboshta ka qenë shumë i saktë në ekzekutimin e 11-metërshit dhe topi ka përfunduar në trekëndësh, duke kaluar në avantazh sërish ekipin e Erzenit. Më pas kjo skuadër ka arritur ta ruajë këtë rezultat deri në fundin e ndeshjes.

Goli i shënuar këtë javë nga Rraboshta, ka qenë goli i 12-të për të në këtë kampionat, teksa premton të shënojë shumë të tjerë në vazhdim, ndërkohë që nga ana tjetër, shkodrani tjetër i këtij ekipi, Ersil Ymeri, deri më tani, ka arritur të shënojë 10 gola.
Maringlen ZHIVANI