Jehona dhe pakënaqësia për golin e anuluar të Aralicës ndaj Partizanit ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme në qytetin e Shkodrës.

Alban Neziri, drejtori sportiv i akademisë Vllaznia, për “Panorama Sport” u shpreh i irrituar në lidhje me maskaradën e gjyqtarëve kundër Vllaznisë në këtë sezon.

Ai ka kërkuar madje që shefi i sektorit të gjykimit në FSHF të ndalë masakrën ndaj shkodranëve, si dhe të dorëhiqet nga posti që mban. Hasani pohoi se këtë vit Vllaznia po persekutohet nga gjyqtarët edhe te grupmoshat, jo vetëm me ekipin e parë.


Vllaznia sërish ndëshkohet nga gjykimi, rastësi apo keqdashje?

Më vjen keq. Si ka mundësi dhe pafytyrësi të anulohet një gol i tillë në një ndeshje ku luhen fatet e sezonit. Një ndeshje ku ekipi mund të sigurojë Europën dhe luhen fatet e një qyteti. I bëj thirrje Sokol Jarecit, si shok dhe mik, se ndoshta akoma kujton se Vllaznia është ekipi i bashkisë e jo privat, të japë dorëheqjen e parevokueshme nga detyra, nëse ka pak moral. Ka gjithë vitin që Vllaznia po masakrohet me ekipin e parë dhe skuadrat e akademisë.

A ka ndonjë shpjegim për këtë që po i ngjet Vllaznisë me gjykimin?

Ka gjëra të pashpjegueshme që po i ndodhin Vllaznisë këtë sezon në aspektin sportiv. Ka vite që nuk e kemi parë këtë gjë. Një ekipi që është krenaria e futbollit shqiptar po i hahet haku në mënyrën më të turpshme. Është turp për këta arbitra që luajnë me djersën e presidentëve dhe nuk e kanë problem aspak se sa investojnë ata.


Mendoni se të tilla vendime mund ta penalizojnë skuadrën shkodrane për të qenë në finale dhe më lart në kampionat?

Takimi i dytë është në fushën tonë dhe ekipi do të mbështetet nga tifozëria e mrekullueshme shkodrane. Unë kam besim se Vllaznia do të kualifikohet. Mendoj se kemi një ekip më të mirë se Partizani, plus që skuadra do të ketë mbështetje. Kupat e Europës ekipi i arrin nga kupa dhe nga kampionati. Pas dy javësh Vllaznia do të kualifikohet.

Të hënën, Vllaznia duhet të ketë frikë Kastriotin apo gjykimin?

Ndaj Kastriotit është ndeshje tjetër. Duhet që të qetësohet situata dhe të kërkohet më e mira. Lojtarët duhet të fokusohen te kampionati dhe të lënë pas Par-tizanin, pasi ka kohë për ndeshjen e kthimit. Mendoj se Vllaznia është një ekip me cilësi dhe nuk ka pse t’u trembet Kastriotit e as gjykimit, sado që po e ndëshkon javë pas jave.