Vllaznia U13 nuk ka arritur dot të fitojë ndeshjen e rradhës të kampionatit, atë të luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” ndaj ekipit të Internacional Tiranës.

Në fund të këtij takimi, është vulosur rezultati i barabartë 4-4. Shkodranët kanë kaluar të parët në avantazh me anë të futbollistit Shabi, që në minutën e 5-të.

Vllaznia U13 ka bërë një ndeshje të mirë, por edhe Internacional Tirana është paraqitur në mënyrë dinjitoze në fushën e lojës dhe për rrjedhojë, kryeqytetasit kanë arritur të barazojnë shifrat me anë të futbollistit Shpani në minutën e 14-të.

Deri në fund të pjesës së parë, do të shënoheshin edhe tre gola të tjerë, teksa pas golit të Internacional Tiranës, kanë shënuar vendasit e Vllaznisë dy gola njëri pas tjetrit në minutën e 15-të dhe të 24-të, me anë të futbollistit Gjergj Shabi, që kompletoi tripletën e tij në këtë ndeshje.

Ndërkohë, edhe Internacional Tirana do të përgjigjej me golin e Shpanit dhe pjesa e parë është mbyllur 3-2 për Vllazninë U13.

Në pjesën e dytë, miqtë e Internacional Tirana kanë arritur të përmysin shifrat e pjesës së parë me dy gola të shënuar në minutat e 55-të, dhe 59-të, me anë të Likometit dhe Nezës. Megjithatë, ka ardhur menjëherë reagimi i kuqebluve pas 10 minutash, të cilët me anë të Ramajt kanë barazuar përsëri rezultatin.

Në ato pak minuta të mbetura, deri në fund të takimit, ka patur përpjekje nga të dy ekipet, por nuk ka patur gol tjetër dhe si rrjedhojë i gjithë takimi është mbyllur në barazim 4-4.

Vllaznia U13 në këtë ndeshje ka hedhur në fushë këtë formacion të përbërë nga: Çolaj, Ramaj, Krymi, Hoxha, Dukaj, Selimi, Kraja, Golemi, Ramçaj, E. Lulaj dhe Shabi, ndërkohë që në pjesën e dytë janë aktivizuar edhe Shpuza, Alija, Thana, Bishaj dhe P. Lulaj

Pas kësaj ndeshje, ekipi i Vllaznisë U13 është ngjitur në kuotën e 11 pikëve, duke u renditur në vendin e shtatë në tabelën e klasifikimit. Ky kampionat për Vllaznia U13 nuk ka qenë ai i duhuri dhe në 22 ndeshje të luajtura, ka marrë vetëm 11 pikë, megjithatë në ndeshjet e ardhshme me siguri që do të vijnë edhe fitoret, sepse përbërja e tij premton shumë për të ardhmen.
Maringlen ZHIVANI