Mbijetesa e Lushnjës në Kategorinë e Parë, me shumë mundësi do të shkojë për të dytin sezon radhazi me ndeshje shtesë. Lushnjarët nuk arritën që të fitonin finalen e mbijetesës me Kastriotin, takim i cili u zhvillua të shtunën në stadiumin “Roza Haxhiu” dhe u mbyll në barazim 0-0. Gugash Magani, trajneri i Lushnjës, mori përgjegjësinë kryesore, për faktin që verdhejeshilët janë praktikisht në “play-out”.

Tekniku i lushnjarëve tha për “Panorama Sport” sesi ekipi e fituan lojën, por u frenuan nga gjyqtari. “Mund të them që, nëse skuadra do të kishte luajtur si ndaj krutanëve, nuk do të ishim në këto pozita. Jam jashtëzakonisht shumë i kënaqur me skuadrën.

Falënderoj në maksimum tifozët tanë, të cilët për asnjë moment nuk na kontestuan, por na përkrahën. Kjo nuk është hipokrizi. Përgjegjësia që jemi në këto pozita është e imja. Gjithsesi për momentin mund të them vetëm kaq: Këto javë kanë qenë një turp për kampionatin e Kategorisë së Parë.

Ka pasur shumë aleanca. Pra, ndeshjet janë fituar në tavolinë. Nuk janë fituar në fushë ne lojës. Ne kemi luajtur shumë ndershëm. Sa i përket ndeshjes jam shumë i kënaqur me skuadrën. Luajtëm përballë… Nuk mund të them asgjë për skuadrën, por, luajtëm përballë 14 lojtarëve. Pra, 11 lojtarët dhe arbitrat po t’i referohemi gjithë lojës.

Kundërshtari na ka frenuar lojën gjithë kohës dhe nuk ka pasur shumë lojë efektive. Ndërkohë, që dy penallti kanë qenë në favorin tonë. Nëse njëra nga ato nuk ka qenë penallti, nuk merrem më me futboll. Kjo që ndodhi është një turp i madh. Nuk është hera e parë që ne na sulmojnë. Të paktën për sa kam drejtuar unë Lushnjën. Është diçka e paimagjinueshme”, tha fillimisht trajneri Magani.

PËRGJEGJËSIA- Trajneri Gugash Magani mirëpret çdo vendim të drejtuesve duke marrë edhe përgjegjësitë e situatës. “Kurrë nuk i shmangem përgjegjësisë. Çdo gjë është në dorë të drejtuesve. Unë kam qejf që ta mbyll këtë sezon, janë edhe 2 ndeshje, java e fundit në Berat, pastaj një në “play out”.

Kurrë Lushnja nuk ka për të rënë. Pavarësisht se edhe sot mund të më shkarkojnë, nuk ka asnjë lloj problemi. Kjo skuadër meriton më shumë sesa është tani. Janë shumë faktorë që ne jemi në këto pozita. Përgjegjësinë kryesore e marr unë. Tani edhe ne njerëz jemi. Jemi me gjak.

Unë gjithmonë kam ruajtur gjakftohtësinë. Kam shumë eksperiencë dhe mund të them më ka ndodhur diçka e paparashikueshme këtu në Lushnjë, siç është edhe futbolli. Prandaj e thashë që në fillim, unë i kërkoj shumë ndjesë, sinqerisht, të gjithë tifozëve.

Kjo është vetëm përgjegjësia ime. Gjërat anësore duhen analizuar. Përgjegjësinë e marr vetë. Vetëm në futboll mos thuaj kurrë, por kjo skuadër nuk meriton të jetë në “play out”. Ka treguar që bën lojëra të bukura”, përfundoi trajneri i Lushnjës, Gugash Magani.