Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes Martin Biba ngriti zërin për kushtet skandaloze të sportit në vendin tonë, të cilat sipas tij, u nxorën sërish në pah gjatë kësaj periudhe të pandemisë globale të koronavirusit.
Pas akuzave ndaj qeverisë dhe institucioneve të tjera sportive në vend për korrupsion, Biba publikoi një platformë me 15 propozime për ndryshimin e gjendjes së sportit në Shqipëri. Në këtë platformë, ai rendit si të domosdoshme përshtatjen e ligjit të sportit për Shqipërinë me vendet ballkanike, krijimi i një strategjie kombëtare për sportin për 30 vitet e ardhshme, zgjedhje e një sportisti elitar në çdo këshill drejtues të çdo federate, dyfishimin e grantit për sportin etj.
Propozimet për sportin shqiptar nga presidenti i FSHM-së Martin Biba:
Lojrat Olimpike janë shtyrë për 2021!
Gjendja në vend është e vështirë si në mbarë globin, mbijetesë shëndetësore, mbijetesë ekonomike, përse jo dhe psikologjike. Komunikimi ndërmjet sportit dhe qeverisë lë për të dëshiruar a thua se e përkeqësoi COVID-19, jo dhe jo. Ka patur replika dhe vazhdojnë akoma por…… e njëjta situatë për fatin e keq të sportit dhe vendit. Si do të dalim nga kjo situatë?
1- Me të njëjtët aktorë si nga sporti ashtu dhe nga qeveria…. jo dhe jo,
2- Nga rezultatet dhe medaljet të marra nga sportitët tanë me sakrifica të jashtëzakonshme…. jo dhe jo,
3- A tërhiqen apo dorëhiqen drejtuesit e sportit…. jo dhe jo,
4- A tërhiqet apo dorëhiqet qeveria….jo dhe jo,
4- A mund të përmirsojnë angazhimet të dyja palët… jo dhe jo,
5- A mund ta zgjidhin ndërkombtarët vetëm pa këto palë…. jo dhe jo,
6- A ka mundësi që komuniteti i sportit me ndihmën e shoqërisë dhe të mediave ta shkundë këtë situatë e të nxjerrë më të mirën për sportin dhe vendin tonë….besoj fort se PO!!!
Le të rrimë këtu tek 6 dhe vazhdojmë më tej.
Qeveria është e korruptuar këmbë e kokë.
Shumë drejtues të sportit, aktorë që janë zhytur në korrupsion qajnë me lot krokodili për sportin dhe pse janë drejtues në këto 30 vite, duke ndërruar lëkurë sipas stinës(qeverive) herë në një pozicion e herë në ndonjë tjetër dhe prapë sportistët dhe shoqëria i kanë vuajtur bëmat e tyre.
Ligji i sportit thonë disa, politika thonë ca të tjerë, hë mo se e kemi fajin vetë thonë të tjerë, epo ky vend është i vogël e kaq takat ka, pse kërkoni më shumë se janë bërë stadiume ca të tjerë etj. etj.
Unë mendoj se nga kjo situatë dilet me angazhime serioze dhe platformë të re mbi drejtimin e sportit, sigurisht dhe të vendit!
Federatat Olimpike dhe jo vetëm, duhet të marrin situatën në dorë dhe të pozicionohen qartazi për zgjidhjen e kësaj situate absurde por dhe të krijuar me dashakeqesi për përfitime ekonomike me afera korruptive në kurriz të sportistëve/sportisteve dhe trajnerëve/trajnereve.
Zëri i sportistëve/ sportisteve duhet të dëgjohet më shumë se i kujdo tjetër, por si arrihet kjo:
1- të amendojme ligjin e sportit sipas modeleve të vendeve në rajonin e Ballkanit,
2- të krijohet strategjia kombëtare për sportin së paku për 30 vitet e ardhshme,
3- inventarizimi i ambjenteve dhe paisjeve sportive dhe ndërtimi i një plani kombëtar për ndërtime dhe rindërtime të palestrave, pallateve të sportit,
4- rishikimi i komisioneve të sportistëve nëpër federata dhe KOKSH,
e forcimi i rolit tyre,
5- zgjedhja e një sportisti elitar në këshillat drejtues të çdo federate, në KOKSH dy sportistë elitarë në Komitetin Ekzekutiv,
6- Ndryshimi i statutit të KOKSH duke përjashtuar federata të cilat nuk kanë realizuar dhe raportuar aktivitete kombëtare për tre vitet e fundit rrjesht,
7- përballje mediatike për problemet e sportit dhe dalja nga vrimat e zeza të korrupsionit, ku motoja është se çudia më madhe tre ditë zgjat,
8- veting apo një filtër analizimi për çdo pronë, të ardhura apo pasuri që disponojnë drejtues e ish drejtues të sportit në këto tre dekada,
9- funksionaliteti i Këshillit Lartë të Sportit , deri tani një organ falls që nuk ka përmbushur asnjë detyrë për sportin, analizë dhe përgjegjësi,
10- zgjedhje pas ndryshimit të statutit të KOKSH për organet drejtuese dhe marrje përgjegjësie, përballje me çdo qeveri për sportin dhe vetëm në të mirë të sportit,
11- auditime dhe dhënie llogarie në çdo organizatë sportive në vendin tonë,
12- krijimi i transparencës së plotë për të ardhurat në çdo organizatë sportive,
13- dyfishim i menjëhershëm i grandit të sportit dhe krijimi i mundësive të grumbullimit të secilës grupmoshë të sportistëve dhe pjesmarrja e tyre në aktivitete ndërkombëtare,
14- solidarizim dhe fuqizim i zërit të sportit, minimalisht mazhoracë, marrja e të drejtës së transmetimit të aktiviteteve kombëtare dhe ndëkombëtarë së paku sporteve olimpike nga televizionet kombëtare dhe jo vetëm,
15- sensibilizim i shoqërise me gara dhe kompeticione të ndershme, me etikë dhe konkurencë të ndershme!
Ka shumë çka ku mund të shkruaja më gjatë por mendoj se do kemi mënyra të tjera komunikimi!
Me dëshirën e mirë për ti shembur praktikat e gabuara deri më sot dhe për ti dhënë leje largimin e atyre që e kanë dërrmuar sportin dhe shoqërinë tonë, lutem për viktimat e pandemisë dhe ndaj dhimbjen me familjarët e tyre!
Ju uroj shëndet dhe angazhim për një të ardhme më të mirë!