Silvio Zogaj duket se është i irrituar me situatën në të cilën gjendet futbolli shqiptar. Shumë klube kanë përfunduar në FIFA për mosmarrëveshjet me lojtarët, ndërsa të tjerë në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve pranë FSHF-së për kontratat e tyre.

Qendërmbrojtësi i Vllaznisë është vetëm 22-vjeç dhe me atë që ka treguar në fushë, është cilësuar si një nga lojtarët e së ardhmes në kampionatin shqiptar. Ai i është referuar të përditshmes sportive, ku duket se i kanë rënë në sy disa shkrime për mosmarrëveshjet mes futbollistëve dhe klubeve. Shtatlarti bën thirrje që të kthehen sytë seriozisht nga futbolli sepse në këtë mënyrë po na “qesh” e gjithë bota.

“Më shumë flitet për gjyqe se për futboll në gazetën e sportit. Ktheni kokën nga futbolli se u bëmë gaz i botës”, shkruan Zogaj në Instagramin. Një apel ky që zë vend me aktualitetin shqiptar, ndërsa shpresohet që mos të bijë në vesh të shurdhër.

22-vjeçari është aktivizuar në këtë sezon në 15 ndeshje, 6 prej të cilave i ka nisur nga minuta e parë. Ka arritur të realizojë edhe një gol me fanelën shkodrane dhe prej kohësh duket se ka fituar besimin dhe simpatinë e trajnerit Mirsad Jonuz.

Në Shkodër, së fundmi ka probleme pagash dhe futbollistët kanë kërcënuar me bojkot të stërvitjes nëse s’do të ketë një zgjidhje nga ana e Bashkisë si pronare e klubit të futbollit./newsport/