Prej disa ditësh Kombëtarja Shpresa e vendit tonë është grumbulluar për ndeshjet miqësore ndaj Moldavisë. Ajo që të bie në sy në listën prej 21 lojtarësh të grumbulluar, është fakti se në të nuk ka asnjë futbollist të Vllaznisë. Ndonëse kjo e fundit merret shpeshherë si shembull i punës së mirë që bëhet me elementin e ri, në jo pak raste, lojtarët e evidentuar të dalë nga Akademia dhe që luajnë me sukses edhe me ekipin e parë, çuditërisht nuk ftohen në ekipet kombëtare. Kështu ka ndodhur edhe në grumbullimin e fundit të bërë këto ditë. Trajneri Alban Bushi ka bërë kuptohet zgjedhjet e tij por kjo nuk është pritur aspak mirë në Shkodër. Drejtuesit e Klubit Vllaznia herëpashere kanë ngritur zërin për këto probleme dhe me siguri që do ta bëjnë edhe në të ardhmen sepse mendojnë se kanë lojtarë të talentuar që mund t’u shërbejnë ekipeve kombëtare. Një emër që padyshim konsiderohet nga më të talentuarit është padyshim sulmuesi Rubin Hebaj. Ndonëse gjatë këtij sezoni ka qenë i pafat në momente të caktuara për shkak dëmtimesh, sërish ka lënë gjurmë me golat dhe aktivizimin e tij tek Vllaznia. Ai vetëm në korrik do të mbushë 19 vjeç por në fushë shfaq shumë personalitet. Ka arritur të shënojë deri tani 3 gola në kampionat, ka dhënë asiste dhe ka bërë një lojë shumë të mirë në rastet kur është aktivizuar. Këtë gjë e tregoi edhe në ndeshjen e fundit me Teutën. Me futjen e tij në fushë, loja e kuqebluve mori gjallëri. Dhe Hebaj ishte ai që shënoi golin e anulluar që solli dhe shumë diskutime e po ashtu, pak minuta më vonë, goditi me kokë dhe topi u ndal vetëm nga shtylla. Nuk e dimë se cili futbollist i kësaj moshe, ka shfaqur kaq shumë cilësi në këtë kampionat dhe për të gjitha këto, padyshim që ai e meritontë një ftesë në kombëtaren U-21. Pa përmendur pastaj futbollistë të datëlindjeve 1997 dhe 1996 si Uendi Vecaj, Ardit Krymi, Erald Çinari etj të cilët pa as më të voglin diskutim që meritojnë më shumë vëmendje sepse prej 2-3 sezonesh po luajnë si titullar në Superligë.
© shkodrasport.com