Volejbollistët e Vllaznisë nuk e kanë patur të vështirë të fitojnë ndeshjen e rradhës për kampionat, atë ndaj Skënderbeut. Ajo është luajtur paraditen e sotme në “Qazim Dervishi” dhe kuqebluve nuk u është dashur më shumë sesa një orë për të mundur korçarët me rezultatin e pastër 3-0. Në totalin e tre seteve, Skënderbeu ka arritur të shënojë vetëm 48 pikë përballë 75 të Vllaznisë (25-16, 25-15, 25-17), çka tregon se diferencat kanë qenë të mëdha në fushë. Megjithatë, fitorja e sotme nuk i ka siguruar asgjë shkodranëve në rrugën e tyre për një vend në play- off. Kur kanë mbetur edhe dy javë deri në fund të fazës së dytë të kampionatit, ata nuk kanë asgjë të sigurtë. Pavarësisht se kanë për të luajtur dy takime, me Elbasanin dhe Erzenin, asgjë nuk është në dorën e tyre. Sfida vendimtare do të jetë Studenti- Tirana e javës së fundit dhe nëse fiton ekipi i parë, atëherë Vllaznia mund të jetë në katërshen që do të vazhdojë luftën për titullin kampion. Ndryshe, ajo do të jetë e detyruar t’i thotë lamtumirë asaj, ndonëse është një nga ekipet më të mira të volejbollit shqiptar për momentin.

© shkodrasport.com