Federata Shqiptare e Atletikës në aktivitetin e zhvilluar ditën e djeshme në kryeqytet për shpalljen e sportistëve më të mirë të vitit 2016, ka nderuar disa sportistë veteranë për kontributin e tyre në vite në këtë sport. Ndër ata që kanë titullin e lartë “Nderi i atletikë shqiptare”, kanë qenë edhe tre ish- atletë të Vllaznisë dhe pikërisht Dashamir Sherja, Zhuje Breçani dhe Franc Curanji. Natyrisht që ky është një vlerësim i madh për to por që në fakt e kanë merituar sepse kanë qenë në elitën e këtij sporti jo vetëm në Shkodër por edhe në Shqipëri. Dashamir Sherja është një nga emrat e njohur në garën e maratonës dhe atë të distancave të gjata teksa është shpallur edhe kampion kombëtar dhe ka mbajtur edhe titullin “Mjeshtër Sporti”.

Kohët e fundit ka dhënë një kontribut të shkëlqyer edhe në botimin e librit “Enciklopedia e sportit shkodran”. Sakaq, Zhuje Breçani vërtetë ka lindur në Tropojë por pjesën më të rëndësishme të karrierës së saj sportive e ka patur tek ekipi i Vllaznisë ku ka spikatur në garën e hedhjes së shtizës ku jo vetëm është kampione e vendit por edhe rekordmene e kësaj gare. Ndërkohë, i dekoruari tjetër, Franc Curanji ka qenë pjesë e ekipit shkodran në vitet ’80 ku ka konkurruar me sukses në disa disiplina sportive si në kërcim së gjati, 110 m/p apo dhe në dhjetëgarësh duke qenë një nga emrat e njohur të këtyre viteve në atletikën shkodrane dhe atë shqiptare. Vlerësimi i këtyre tre ish- sportistëve të Vllaznisë padyshim që është një vlerësim që Federata e Atletikës i bën këtij qyteti dhe këtij klubi që në vite kanë nxjerrë emra të mëdhenj kampionësh dhe rekordmenësh siç ishte së fundi edhe rasti i Izmir Smajlajt që pikërisht në ceremoninë e djeshme ka marrë edhe titullin si “Sportisti më i mirë i vitit 2016”. Bashkë me të, Qeveria i ka akorduar edhe shpërblimin prej 40 milionë lekësh të vjetra, për suksesin në Kampionatin Europian, shpërblim që vjen pas ardhjes së përgjigjes negative të testit antidoping të këtij sportisti.
© shkodrasport.com