Bashkia Shkodër mban premtimin e dhënë përpara disa kohësh për akordimin e një shpërblimi për kampionin e Europës në atletikë, Izmir Smajlajn. Premtimi i dalë nga goja e kryebashkiakes Ademi në pritjen zyrtare bërë këtij sportisti menjëherë pas kthimit të tij nga Beogradi, është konkretizuar sot me miratimin nga ana e Këshillit Bashkiak. Për Smajlajn është akorduar një shpërblim prej 5 milionë lekësh të vjetra nga ky institucion ndërkohë që ka patur edhe një shpërblim prej 1 milionë lekësh të vjetra për trajnerin e tij Vildan Tufi. Kryebashkiakja në fjalën e saj para këshilltarëve bashkiakë, ka premtuar po ashtu se institucioni që ajo drejton do të vazhdojë ta mbështesë këtë sportist edhe në të ardhmen në mënyra të ndryshme, vetëm e vetëm që ai të vazhdojë të nderojë Shkodrën dhe Shqipërinë. Sakaq, disa prej këshilltarëve kanë ngritur si shqetësim rritjen e shpërblimit për trajnerin Tufi që ka një meritë të jashtëzakonshme në sukseset e këtij sportisti. Po ashtu, këshilltari Renato Radoja, një emër shumë i njohur i sportit shqiptar, ka ngritur shqetësimin se trajneri i Kampionit të Europës nuk është në organikën e SK Vllaznia ngaqë gjoja është pensionist!!! Ajo çfarë ka dalë si konkluzion nga mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak, është që të gjitha institucionet duhet të bëjnë maksimumin për mbështetjen e sportistëve cilësorë sepse ata janë krenaria e këtij vendi.