Ndodh edhe kështu. Kombëtarja e Islandës, në prag të ndeshjes që do të luajë mbrëmjen e sotme në “Loro Boriçi” ndaj asaj të Kosovës, “i ka prishur punë” edhe ekipit të Vllaznisë. Kjo ngaqë islandezët kanë zhvilluar paraditen e sotme një seancë stërvitore pikërisht në orarin kur kuqeblutë duhej të ishin në fushë! Diçka e pakuptimtë në fakt kur dihet korrektesa e këtij kombi por stërvitja e tyre sot ka qenë e planifikuar për t’u zhvilluar në orën 11.00 në fushën sportive “Reshit Rusi”. Për këtë arsye, stafi kuqeblu kishte vendosur që stërvitjen e vet ta niste rreth orës 12.00. Por kur futbollistët shkodranë, trajnerët dhe stafi mjekësor janë paraqitur tek fusha, kanë parë që kombëtarja e Islandës ende nuk kishte ardhur! Ajo ka mbërritur në ambjentet e kësaj fushe në orën 11.45 dhe stërvitja e saj ka zgjatur rreth 45 minuta. Të gjendur para një fakti të tillë, pjestarët e ekipit të Vllaznisë janë detyruar të presin në një nga baret pranë “Reshit Rusi” duke bërë që stërvitja e tyre të fillojë me vonesë. Natyrisht që kjo nuk përbën ndonjë problem por ajo që të bën përshtypje është moskorrektesa e islandezëve që nuk kanë zbatuar orarin e vënë për seancën e fundit stërvitore në prag të sfidës me kombëtaren kosovare, sfidë kjo që do të nisë në orën 20.45 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

© shkodrasport.com