Chris Olivier është blerja e rradhës për ekipin e basketbollit të Vllaznisë. Amerikani është prezantuar sot nga ana e inspektorit të klubit shkodran Astrit Zaganjori dhe pritet të jetë një pikë shumë e rëndësishme për këtë skuadër në luftën drejt titullit kampion. Në prononcimin e tij të parë si basketbollist i kësaj skuadre, Olivier shprehet i kënaqur me pritjen që ka gjetur në Shkodër dhe premton se do të bëjë më të mirën që Vllaznia të shpallet kampione. “Jam i lumtur që jam këtu. Më parë, përveçse në vendin tim, kam luajtur
edhe në Gjeorgji dhe së fundi edhe në Kosovë për disa kohë. Kur më propozuan të vija tek Vllaznia, e prita me interes sepse e di që kjo skuadër synon të shpallet kampione dhe kjo më nxiti edhe më shumë. Mezi pres të zbres në fushë dhe të jap kontributin tim por edhe të kënaq tifozët sepse kam dëgjuar se ata janë shumë të zjarrtë. E njoh pak ekipin e Vllaznisë sepse para disa kohësh kam zhvilluar një miqësore kundër saj dhe besoj se ka në përbërje lojtarë të mirë me të cilët do të arrijmë objektivin që kemi”- është shprehur lojtari i sapoardhur. Olivier luan në pozicionin 5, atë të qendrës, është i gjatë 2.04 m dhe mendohet se do të jetë një lojtar i rëndësishëm për ekipin shkodran. Këtë gjë thotë edhe inspektori Zaganjori që është i kënaqur me afrimin e këtij lojtari që sipas tij i kishte munguar Vllaznisë dhe ai do ta ndihmojë shumë ekipin në ndeshjet e mbetura të këtij sezoni. “Objektivat tona dihen, për të synuar titullin e katërt kampion rradhazi. Por në ndeshjen e kaluar me Tiranën, konstatuam probleme me lojën poshtë tabelës dhe e kishim të nevojshme një përforcim të tillë. Bashkë me trajnerët Sarin e Gjeçaj, e kemi ndjekur herëpashere këtë lojtar dhe jemi bindur se do të jetë i duhuri për ne. Shënon mesatarisht 25 pikë në ndeshje dhe them se do të na bëjë shumë pikë. Tirana është shumë e fortë por ne nuk do heqim dorë nga objektivi jonë pë të dalë kampion sërish”- ka thënë ai gjatë prezantimit. Me ardhjen e Olivier ka shkuar në katër numri i amerikanëve tek Vllaznia dhe natyrisht vetëm ky fakt tregon më së miri se objektivi i drejtusve të saj është fitimi me çdo kusht i titullit kampion edhe këtë sezon.

© shkodrasport.com