
Vllaznia nuk ka shkuar më larg sesa barazimi 0-0 ndaj Teutës në ndeshjen e luajtur pasditen e së dielës në “Loro Boriçi”. Një ndeshje e shoqëruar me shumë polemika e kontestime që i ka patur brenda të gjitha. Gol të anulluar, 11-metërsh të humbur, karton të kuq dhe shtyllë por gol jo. Vendasit e nisin në mënyrën më të mirë ndeshjen. Në minutën e 5-të pas një goditje këndi, topi mbet në dorën e një mbrojtësi durrsak dhe arbitri Sokoli tregon pikën e bardhë të 11 metërshit. Ashtu si një javë më parë ndaj Laçit edhe këtë herë e merr përsipër ta gjuajë Bakaj por këtë herë nuk tregohet i suksesshëm. Fillimisht topi godet shtyllën, kthehet në lojë dhe sulmuesi kuqeblu e gjuan serish dhe perfundon ne rrjete por goli anullohet. Në të dytën Teuta duket se e nis më mirë por Progni gabon rëndë duke marrë njëri pas tjetrit dy kartona të verdhë dhe në minutën e 56-të e lë skuadrën e tij me një futbollist më pak. Vllaznia kërkon të përfitojë nga kjo dhe hedh në fushë një sulmues, Hebajn. Presioni rritet megjithatë por moment më delikat është ai I minutës së 83-të kur Hebaj do të shënonte golin e shumëpritur që fillimisht akordohet nga gjyqtarët por më pas, anullohet për prekje të topit me dorë nga Hajdari. Vendim ky që natyrisht krijon pakënaqësi tek shkodranët. Këta të fundit janë të pafat sepse në minutën e 91-të sërish me anë të Hebajt, janë pranë golit por topi ndalet nga shtylla. Edhe minutat shtesë nuk sjellin asgjë dhe përfundimisht barazim 0-0.
© shkodrasport.com