Ndonëse “Vllaznia A” sot e ka patur pushim, asnjë nga lojtarët e stolit të saj nuk është parë në fushë në ndeshjen që ekipi B luajti ndaj Korabit. Kjo gjë padyshim që e ka bërë të ndihet jo mirë trajnerin Ervis Kraja i cili nuk arrin të shpjegojë pse ndodh një gjë e tillë kur aktivizimi me ekipin e dytë, në rradhë të parë u shërben këtyre lojtarëve. “Kam një shqetësim sa i takon futbollistëve që nuk luajnë me ekipin e parë dhe që nuk vijnë të luajnë as me ekipin B.

Ne me profesor Nestin (Gjokën) kemi patur një bashkëpunim të mirë në fakt por këto futbollistë mesa duket nuk po e kuptojnë që aktivizimi tek ekipi i dytë nuk i shërben askujt më tepër sesa atyre. E kisha me shumë dëshirë që të kisha disa prej tyre sot në fushë në ndeshjen ndaj Korabit, pikërisht ndaj këtij Korab që një sezon më parë rrezikoi të hidhte Vllazninë nga Superliga.

Dhe ato djem që luajtën vjet ndaj Tiranës në ndeshjen e fundit e kanë ende të qartë se çfarë ankthi përjetuan dhe mbase ato duhej të ishin sot në fushë. Por ekipi B nuk është ndërtuar në bazë të disa individëve por në grup dhe ne prandaj vazhdojmë përpara.

Ne nuk i deshëm këto lojtarë as për t’i marrë të luanin në Burrel apo në Peshkopi por në Shkodër dhe kur nuk vijnë as këtu, besoj se është një problem që duhet t’i shqetësojë në rradhë të parë vetë ata”- është shprehur Kraja pas barazimit 0-0 të arritur ndaj dibranëve në ndeshjen e luajtur në “Reshit Rusi”.

© shkodrasport.com