Kristian Panuçi ka siguruar miqësoren e parë të vitit 2018 dhe për këtë meritë ka fitorja që Shqipëria arriti kundër Portugalisë në vitin 2014. Në takimin e sotëm në Teheran mes krerëve të të dy Federatave të Futbollit u arrit akordi parimor për zhvillimin e një ndeshje në një datë per t’u caktuar para Botërorit të vitit 2018 dhe gjithçka nisi nga interesimi i Iranit për të mësuar se si mund të mposhtet përfaqësuesja me të cilën kanë në rënë në grupin e Rusi 2018. Pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, presidenti i Federatës Iraniane, Mehdi Taj, tregoi edhe për interesimin rreth këtij shkëmbimi eksperiencash.

“Shqipëria ishte në një grup me Spanjën në kualifikueset e Botërorit dhe ka luajtur edhe kundër Portugalisë, duke e mundur një herë. Kjo është diçka e mirë, të cilën ne mund ta shfrytëzojmë”, tha Taj, duke bërë të qartë se do të kishte shkëmbim të informacioneve teknike e taktike që dispononin dy federatat sa u përkiste përgatitjeve për duelet në fjalë.

“Një miqësore me Shqipërinë është e parashikuar në kontratën që nënshkruam. Por ajo mund të zhvillohet në një shtet tjetër”, tha Taj për mediat e vendit të tij duke shpjeguar se kishte njohuri të mjaftueshme për futbollin shqiptar. “Ervin Bulku (i pranishëm në këtë takim) ka luajtur tre vite këtu, kemi pasur edhe Sukajn që ka luajtur te Sepahan. Pastaj kemi futbollistin e ri Reza Karimi i cili luan në kampionatin shqiptar. Shpresojmë që të kemi më shumë bisedime të mira sa u përket transferimit të lojtarëve në dy vendet”, shpjegoi ai.