Kapiteni, i cili deklaroi se tashmë është një futbollist i lirë, kërkon të sqarojë mbarë opinionin. I kontaktuar nga “Sport Neës”, 30-vjecari ka kërkuar të sqarojë të vërtetën e këtij vendimi. Sulmuesi shkodran ka theksuar se nuk ka kërkuar për asnjë moment rritje rroge ashtu sic edhe aludohet në media, por ka kërkuar nga klubi të plotësohen dy kushte.

Së pari në kontratën e re duhet të hiqet klauzola e minutave të aktivizimit të tij, cka ishte në kontratën e mëparshme.Shtubina ka kërkuar nga klubi që të gjykojë se sa është paguar gjatë vitit dhe ti’ fiksohet një pagesë mujore, duke përjashtuar klauzolën e minutave të aktivizimit në kampionat. Kushti i dytë ka qenë nënshkrimi i një kontrate 2-vjecare me klubin, për të vijuar karrierën tek skuadra që e formoi. Në 3 edicionet e fundit me fanellën kuqeblu, Shtubina ka patur një rendiment të njëjtë, duke luajtur mbi 2800 minuta përgjatë të gjithë kampionatit. Edicionin që sapo u mbyll kapiteni është futbollisti me më shumë ndeshje dhe minuta aktivizimi, teksa së bashku me Bakaj-n kanë qenë dy golashënuesit më të mirë, me nga 6 realizime. Shtubina është një futbollist që e njeh mirë kampionatin dhe interesimi për të nuk mungon. Ditët në vijim mund të qartësojnë të ardhmen e sulmuesit 30-vjecar, që këtë edicion ka luajtur edhe në rolin e një mbrojtësi krahu me Vllazninë.
© shkodrasport.com