Nëse ka lojtar që po bën gjithçka tek Vllaznia aktuale, ai është Ndriçim Shtubina. Njeriu që mban edhe shiritin e kapitenit, ka provuar të luajë në disa pozicione, duke nisur nga ai i mesfushorit të krahut, që është edhe pozicion ideal për të, për t’u provuar edhe si mbrojtës i djathtë dhe për të përfunduar prej disa javësh edhe në rolin e sulmuesit. Dhe në fakt, këtë të fundit po e justifikon në mënyrën më të mirë të mundshme sepse me golin që ka shënuar ndaj Korabit, e ka çuar në katër numrin e tyre këtë kampionat. Por jo vetëm kaq.
Me këto gola, ai është tashmë autor i 34 golave në kampionat për ekipin e Vllaznisë. Një shifër që në pamje të parë nuk është kushedi se çfarë megjithatë, përderisa shumicën e karrierës së tij ka luajtur si mesfushor, nuk është keq. Kjo ngaqë tashmë ai renditet në “TOP 20” golashënuesit më të mirë të historisë së klubit shkodran. Shtubina ka arritur të lërë pas vetes emra të tillë si Fatmir Paçrami (31 gola), Hamdi Salihi (30 gola), Fasli Fakja (29 gola), Xhevahir Sukaj (29 gola), Halil Puka (29 gola). Objektivi i rradhës për 29 vjeçarin padiskutim që do të jetë edhe kalimi i një tjetër emri të madh të futbollit shkodran dhe atij shqipar, siç është Luan Vukatana i cili në karrierën e tij ka shënuar 41 gola për Vllazninë. Shtubina deri më tani ka luajtur në 214 ndeshje me fanellën kuqeblu dhe natyrisht që nuk ka ndër mend të heqë dorë edhe për disa vite nga futbolli i luajtur dhe me siguri që ka për të shënuar të tjera rekorde personale. Jo më kot, aktualisht ky sportist po merr vlerësime pozitive nga të gjithë, për lojërat që po zhvillon por edhe për golat e shënuar.
© shkodrasport.com