Në pritje të vendimit të kancelares gjermane Angela Merkel për rifillimin apo jo të futbollit, Federata Gjermane e Futbollit do të mbledhë Asamblenë e Jashtëzakonshme më 25 maj. Në këtë mbledhje do të dalin edhe rezolutat për vijimin e Bundesligës në të gjithë nivelet ose mbylljen e mundshme të kampionateve, duke përfshirë vendimet e nevojshme në lidhje me verdiktet e sezonit.

Pra, federata i paraprin çdo zhvillimi të mundshëm dhe pikërisht me datën 25 maj, kur është afati i fundit i dhënë nga UEFA për dorëzimin e planeve për mbylljen e sezoneve në ligat e vendeve të Europës, Gjermania do të nxjerrë rezolutat përkatëse në lidhje me futbollin, nis apo jo kampionati.

Ndërkohë, Qeveria gjermane do të japë dritën jeshile ose jo për futbollin më 6 maj. Duke parë situatën e ditëve të fundit me Covid-19, ku në Gjermani janë shtuar rastet, do të pritet edhe 1 javë për vendimet e lirisë së qytetarëve, ku përfshihet edhe sporti.

Ndërkohë, skuadrat e Bundesligës janë bërë gati për fazën e dytë të stërvitjes, atë në një grup të vetëm. Klubet kanë siguruar testet dhe sot të gjitha klubet kanë nisur ti bëjnë ato. Më rifillimin e stërvitjes në grup, do të bëhet test tjetër dhe testi i tretë parashikohet të bëhet para se të rifillojë sezoni, gjithnjë nëse Qeveria vendos që futbolli të rinisë./konica/