Mes shumë opsioneve që ishin në tavolinë UEFA zgjodhi shtyrjen e kampionatit Europian për në vitin 2021. Tani topi është në “këmbët” e Luis Enrikes. Planet që kishte për këtë Europian duhet të bëhen nga e para. Disa lojtarë do të jenë më të “vjetër”, të tjerë do të kenë mundësinë për t’u rikuperuar nga dëmtimet. Debatet janë të pafundme.

Spanja

Kohë për Enriken- Trajneri i Spanjës do të ketë mundësinë e artë për të punuar edhe një vit më shumë deri sa të prezantohet në një kompeticion të rëndësishëm me “La Roja”-n. Një periudhë oksigjeni për trajnerin asturian, i cili u rikthye në stolin e kombëtares. Një mundësi e artë për të bërë prova dhe për t’u përballur me rivalët direktë në miqësore.

Më të “vjetër”- Në aspektin logjik, lojtarët më të ndëshkuar janë ata veteranët: Ramos, Albiol, Navas dhe Kacorla. Ata janë futbollistët më të rrezikuar nga dëmtimet, por edhe më të paragjykuarit. Për Hezus Navasin dhe Santi Kacorlën mund të ishte shansi i fundit për të luajtur në Europian dhe shanset për në vitin 2021 zbehen shumë. Nëse ruajnë të njëjtin nivel sigurisht që mund të grumbullohen, por edhe mund t’u lënë vendin më të rinjve.

Shans i artë- Fabian, Isko, Rodrigo dhe Saul ishin disa nga futbollistët që sfidonin njëri-tjetrin për të qenë liderë të kësaj kombëtareje. Nëse në vitin 2020 nuk ishin gati, mund ta bëjnë në vitin 2021. Kjo është mundësia e artë e tyre. Të gjithë lojtarët e mësipërm janë kandidatët aspirantë për të udhëhequr kombëtaren spanjolle në javën e ardhshme. E vërteta është që asnjëri nuk ka qenë i aftë ta tregojë rëndësinë këtë vit.

Rikthehet Asensio- Shtyrja e Europianit 2020 është një lajm i mirë për Marko Asension. Mesfushori spanjoll do të rikthehet nga një dëmtim i gjatë dhe vitin e ardhshëm me shumë mundësi do të jetë në skuadrën e Luis Enrikes.

Debat në portë- Do të vazhdojë edhe një vit tjetër debati për portierin titullar te Spanja. David De Gea apo Kepa Arrizabalaga? E vërteta është që asnjëri prej tyre nuk po kalon një moment të mirë.