Vendimi i djeshëm i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit për të shtyrë nisjen e kampionatit të ri të Superligës për më 7 shtator, ka krijuar njëfarë kaosi tek shumë prej skuadrave pjesmarrëse të tij. Natyrisht edhe për Vllazninë. Duke e llogaritur nisjen e superligës për në javën e fundit të gushtit, trajneri Cungu dhe drejtuesit e klubit kishin llogarritur çdo detaj sa i takonte përgatitjeve për sezonin e ri.
Ata kishin planifikuar që faza më intensive e përgatitjeve të zhvillohej në Mal të Zi, duke nisur nga data 18 korrik dhe deri rreth datës 8 gusht. Për këtë arsye, ata kishin siguruar që gjatë këtyre 20 ditëve të qëndrimit atje, të zhvillonin edhe 4-5 ndeshje miqësore dhe për këtë ishin siguruar edhe kundërshtarët. Por shtyrja e kampionatit për dy javë, do t’i detyrojë drejtuesit e Vllaznisë për të shtyrë vajtjen në përgatitoren malazeze. Por problemi nuk është këtu. Shtyrja e stërvitjes, do të bënte që miqësoret e planifikuar në datat e mëparshme të binin poshtë ngaqë kundërshtarët malazezë apo serbë, do të nisin kampionatet e tyre në atë periudhë. Për këtë arsye, ende nuk dihet sesi do të veprojnë drejtuesit e Vllaznisë. Në pamje të parë shtyrja e ndeshjes së parë të kampionatit mund të shërbejë për mirë sa i takon merkatos ngaqë ata do të kenë edhe më shumë kohë në dispozicion për të gjetur lojtarët e duhur por kjo ka edhe këtë dëmin tjetër, të ndryshimit të planeve për zhvillimin e fazës përgatitore.
© shkodrasport.com