Prej më tepër se 30 vitesh i përkushtuar maksimalisht futbollit, por Alban Neziri duket se vitet e fundit ka filluar të gjejë brenda vetes një pasion tjetër, atë për tenisin. E ka nisur si fillestar dhe tashmë është ndër më të mirët e Shkodrës, por jo vetëm kaq.
Përgjegjësi teknik i Akademisë Vllaznia ka dëshirë të ndihmojë për përhapjen e këtij sporti dhe së shpejti ka ndër mend të organizojë një turne të veçantë të cilin e ka emërtuar “Rozafa Tennis Cup.
Neziri në një prononcim për “Shkodra Sport” ka folur më shumë në lidhje me këtë inisiativë, mënyrën si do të organizohet, pjesmarrësit e shumë gjëra të tjera, të cilat mund t’i lexoni më poshtë:
“Tenisi është një sport që më pëlqen shumë pas futbollit. Ai është një sport kryesisht për moshat 40 vjeç e lart dhe nuk ka kontakt fizik. Tenisin e kam adhuruar prej Hysen Zmijanit, idhullit tim në futboll. E ndjek atë prej 10-12 vitesh dhe është vërtetë i talentuar edhe në këtë sport dhe përpos tij është edhe Edi Pelinku që ma shtoi dëshirën për t’u marrë me këtë sport.
E kam filluar duke luajtur një apo dy herë në javë, por shkoi puna për të luajtur çdo ditë. Më vjen mirë sepse ky sport është përhapur shumë në Shkodër dhe janë disa personalitete të qytetit tonë që e ushtrojnë atë si doktor Gëzim Galiqi, ka një shoqatë që po ndihmon në promocimin e këtij sporti, pikërisht “Shkodra Tennis Club”.
Por kemi një sportiste të talentuar si Gresi Bajri, vajza e doktor Luan Bajrit, mikut tim dhe të gjithë shkodranëve. Por më vjen keq se ky sport është privat dhe kjo vajzë ndonëse është më e talentuara në Shqipëri.
Kam menduar që sëbashku me disa shokë e miq të mij, do të bëjmë të mundur shumë shpejt organizimin e një turneu ku do të marrin pjesë më të mirët e të gjithë trojeve shqiptare. Në të do të marrin pjesë edhe dy vajzat e talentuara shkodrane, Gresi Bajri dhe Juna Dani.
Ky turne do të emërtohet “Rozafa Tennis Cup” dhe do të jetë një nga eventet më të bukura sportive që janë organizuar në qytetin tonë. E bëjmë me qëllim e vetëm për t’i dhënë tonin këtij sporti dhe nëse Shkodra është shpallur kampione në të gjitha llojet e sportit, i ka mbetur vetëm tenisi për ta bërë këtë gjë.
Tenisi gjatë këtyre viteve më ka ndihmuar të njoh nga afër njerëz jashtëzakonisht të mirë. Dua t’u bëj thirrje edhe doktor Gëzim Galiqit, Hysen Zmijanit, Sokol Hoxhës, Edi Pelinkut, Alban Danin, doktor Luan Bajrin etj, për t’i dhënë akses këtyre vajzave sepse vërtetë po na krenojnë me paraqitjet e tyre të mira në të gjithë Europën.
Nga këto persona por edhe të tjerë, shpresojnë të na japin një shtysë me sponsorimin e tyre në mënyrë që ta çojmë edhe më tej këtë sport”- ka thënë ai. /SHKODRA-SPORT.COM/