Nga Endri ÇINARI
Në janarin e këtij viti iu bashkua kampionatit arab të futbollit, pas një eksperience të shkëlqyer në Uzbekistan. Fjala është për Rubin Hebaj, i cili la ekipin e Andijan duke u transferuar tek ekipi i Al Orubah. Sulmuesi edhe në aventurën e re arriti të linte shenjë.
Kjo pasi në ligën e dytë të futbollit arab ku militonte skuadra deri pak ditësh arriti të shënonte 3 gola e po ashtu të asistonte 3 të tjerë. Duke dhënë kështu kontributin e tij në ngjitjen në Superligën arabe edicionin që vjen. Pas fitores në shifrat 1-0 kundër Al Jabalain, skuadra e shkodranit siguroi matematikisht ngjitjen në elitë.
Ku ka mbetur edhe 1 javë nga përfundimi zyrtar i kampionatit, Al Orubah qëndron në vendin e tretë. 4 pikë më shumë se ndjekësit më të afërt, që tashmë e kanë të pamundur ngjitjen në Superligë. Për Hebajn patjetër ky është një hap i madh në karrierën e tij. Pasi sezonin tjetër do jetë pjesë e një kampionati “yjesh”.
Ku duhet theksuar se në dy sezonet e fundit, Arabia Saudite ka tërhequr emra të mëdhenj të futbollit botëror. Si Cristiano Ronaldo, Neymar, Milnkovic Savic, Mane, Firmino e shumë të tjerë. Dhe Hebaj do ketë mundësinë që këta futbollistë ti ketë përballë si kundërshtarë në sezonin e ardhshëm.