Sindrit Guri, ka gjetur rrugën e rrjetës ditën e sotme me ekipin e Ostendes në Belgjikë, në ndeshjen që ekipi belg luan në transfertë ndaj Cercle Bryzh.

Në minutën e 64-t, vendasit zhbllokuan shifrat me Hazard, dhe kjo gjë duket se vuri në lëvizje trajnerin e Ostendes, Verhejen. Në minutën e 70-të, në lojë u fut Sindrit Guri, dhe vetëm 5 minuta më pas, shkodrani shënoi me kokë.

Pas një topi në zonë, sfera shkon në ajër tek Guri pasi shërbehet nga Faess, i cili me kokë nuk fal nga fare pranë portës. Kështu, shkodrani arrin të barazojë për ekipin e tij. Ky ishte goli i dytë për Gurin në Belgjikë.

Por, në minutën e 81-të, ishte sërish Guri protagonist. Ish-i i Kukësit, fitoi penalltinë, e cila u shndërruar më pas nga gol nga Bonen, dhe kështu, shifrat shkuan në 1-2 për Ostenden. Por, vendasit ia dolën të marrin 1 pikë, pasi ishte sërish Hazard që barazoi në minutën e 88-të.