Mançester Siti arri ti të tregonte në sezonin e kaluar se është në gjendje t’i shënojë me bollëk Realit të Madridit (5). Por problemi më i madh i tij ishte se pësoi një gol më shumë (6), që i kushtoi një vend në finalen e madhe të Parisit.

Një vit më pas Siti gjen përsëri Realin përballë dhe këtë herë me shpresën se do të gjejë rrugën drejt suksesit. Pep Guardiola e di fare mirë se duhet të bëjë dy ndeshje perfekte nëse dëshiron të shkojë në Stamboll. Një, nuk do të ishte e mjaftueshme ndaj Realit. Janë disa pika kyçe, disa nga enigmat që ai duhet të zgjidhë për të eliminuar nga gara mbretërit e Europës.

NDALJA E BENZEMASË – Gjëja e parë që Pep Guardiola duhet të bëjë është të gjejë mënyrën e duhur për të ndalur Karim Benzemanë së shënuari. Francezi është kthyer në një makth për klubet angleze. Jo më kot 11 golat e tij të fundit në Champions i ka realizuar pikërisht përballë klubeve nga ishulli. Mes tyre është dhe vetë Mançester Siti. Ajo që shqetëson më shumë Guardiolën është fakti se Benzema është kthyer në formë optimale, pikërisht në momentin më kyç të Ligës së Kampioneve.

PROBLEMI “VINICIUS” – Vinicius shënoi dy gola kundër Liverpulit në 1/8-at e finaleve dhe mund të rezultojë problematik për Mançester Sitin. Askush më shumë se ai nuk ka tentuar driblimet (66) në Ligën e Kampioneve në këtë sezon. Moduli i ri i lojës së Guardiolës, 3-2-5 me Xhon Stons të avancuar në mesfushë mund t’i lërë hapësira Viniciusit, dhe kjo mund ta bëjë shumë të rrezikshëm brazilianin. Ai ia vërtetoi edhe në sezonin e kaluar Sitit. Ndoshta Pep duhet t’i vendosë përballë një lojtar si Kajl Uolker!

RODRI, KUNDËR KROSIT – Të gjithë sytë e Realit do të jenë nga Luka Modriç. Por në të vërtetë busulla e lojës së Realit është Toni Kros. Pep Guardiola e di fare mirë një gjë të tillë. Gjermani di ta kurdisë mjaft mirë lojën e “los blancos”, ndaj Pep e ka të qartë se për të prishur mekanizmin e lojës së Realit duhet të neutralizojë Toni Krosin. Kundërlëvizja e tij është Rodri.

SITI KAMELEON – Por gjithkush që e njeh Guardiolën nuk mund të limitohet vetëm në zgjedhjet e spanjollit për të neutralizuar kundërshtarin. Të gjithë e dinë se në radhë të parë Pep është një strateg që kërkon të dominojë. E për të trullosur Realin e Madridit ai do të ndërtojë një Siti në stilin kameleon. E ka nisur sezonin me një 4-3-3 klasike. Më pas e ka modifikuar stilin e tij, teksa kur Siti në zotërim të topit, skema transformohet në një 3-2-2-3. me të humbur topin, skuadra mblidhet në klasiken tjetër 4-4-2 për të mos u gjendur zbuluar.