Gara e titullit në këtë sezon të Bundesligas është më emocionuese se kurrë. Teksa kanë mbetur edhe tre javë për t’u luajtur Bayern Munich kryeson kampionatin me vetëm një pikë më shumë se ndjekësit e Borussia Dortmund.

Bavarezët janë kampionët në fuqi dhe fitojnë titullin në kampionat prej dhjetë vitesh radhazi, ndaj pjesa më e madhe e opionionit jo vetëm në Gjermani, por edhe në Europë, mbështesin verdhezinjtë për të ndalur në këtë formë hegjemoninë e Bayernit.

Megjithatë, nuk është i këtij mendimi Robert Lewandowski me sulmuesin polak që në garën e titullit të Bundesligas mbështet Bayern Munich. Edhe pse lojtari aktual i Barcelonës, fillimet e karrierës i ka me Borussia Dortmund sërish duket se lidhja e tij me bavarezët është më e fortë ndaj ai preferon që Bayern të fitojë titullin.

“Dëgjoj që në Europë shumë persona shpresojnë që Dortmund të fitojë titullin në Gjermani, thonë se një sukses i verdhezinjve do të ishte më mirë edhe për kampionatin. Por, unë mbetem një fans i Bayernit në këtë drejtim dhe jam me gishtat e kryqëzuara duke shpresuar që ata të fitojnë sërish titullin. Duhet ta tregojnë se janë më të mirët në këto javët e mbetura dhe jam i sigurt se tre ndeshjet e fundit do të jenë shumë emocionuese”, u shpreh Lewandowski.