Një skandal i rëndë ka pushtuar futbollin belg, pasi është manipuluar në mënyrë të dukshme rezultati i një ndeshje në elitë. Vesterlo dhe Genk përfunduan ndeshjen e sezonit të rregullt me një barazim 1-1 më 17 mars, me pasoja të rënda për atë që ndodhi në fushë.

Dy skuadrat praktikisht ndaluan së luajtur pas minutës së 86-te, kur Hejnen barazoi për skuadrën e Genk, një ekip që do të luajë për titullin në pjesën e mbetur të sezonit. Edhe pse Vesterlo kishte një lojtar më shumë, pas një kartoni të kuq të skuadrës së Genk, futbollistët e këtij ekipi vetëm i pasuan topin njeri-tjetrit deri në vërshëllimën përfundimtare. Një nga lojtarët e Genk nisi të bënte ushtrime në fushë, ndërsa kishte shtrëngime duarsh mes lojtarëve të dy ekipeve pa pritur mbylljen e ndeshjes.

Kjo, pasi Vesterlo i duhej një pikë për të shpëtuar nga rënia nga kategoria, ndërsa Genk me një të tillë siguronte pjesëmarrjen në grupin që luan për titullin kampion. Kjo pikë i mundësoi që të kalonin Gent dhe t’i merrnin vendin në këtë grup.

Federata Belge u vu në veprim dhe për këtë arsye, ka gjobitur të 21 futbollistë që ishin në fushë, pezulloi me nga dy ndeshje 2 kapitenët si dhe të dy trajnerët e skuadrave, duke e cilësuar këtë “mashtrim të dukshëm”.

Klubi i Vesterlo mori një hap edhe më të rëndësishëm pasi vendosi të shkarkonte trajnerin Rik De Mil. ”Klubi ndjen keqardhje për këtë masë, por nuk mund të pranojmë që vlerat tona të vihen në diskutim”, shkruhej në komunikatën që shoqëronte largimin nga detyra të trajnerit.