Partizani i Europës nuk është ndërtuar ende. Të kuqtë, që prej më shumë sesa një jave vijojnë përgatitjet për ndeshjet kundër Marsakslok në turin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.partizaniGjatë këtyre 20 ditëve që nga hapja e merkatos, të kuqtë janë përfshirë nga disa largime. Më të dhimbshmit deri më tani rezultojnë të jenë ato të Sotës dhe Atanaskoskit, dy titullarë në dy sezonet e fundit.
Nga ana tjetër me klubin janë ndarë edhe të rinj si Leart Zekolli dhe Luis Birçaj, të cilët vuajtën për hapësira dhe vendimi qe për të parë një tjetër aventurë. Gjithashtu ndarja ka ndodhur edhe me Bozho Mikuliç, pavarësisht se asnjë prej largimeve nuk është njoftuar zyrtarisht nga klubi. Skuka u kthye të Metzi, nga ku ishte huazuar.
AFRIMET
Largimet duhen zëvendësuar, ama jo vetëm kaq. Deri më tani Partizani ka arritur të mbyllë me sukses transferimin e Rodrigo Pilotos dhe atë të Vangjel Zguros, me këtë të fundit, që po stërvitet me ekipin në Pogradec, por ende nuk është prezantuar në formë zyrtare. Me Piloton rritet konkurrenca, por edhe mbingarkohet tej mase qendra e sulmit, ndërsa me mbrojtësin e majtë zëvendësohet largimi i Atanaskoskit. Por Partizani nuk kërkon të mjaftohet me kaq, pasi skuadra nuk është ende e plotësuar në të gjitha pozicionet. Që nga fundi i sezonit me klubin e kuq janë lidhur emra si Rivas, Salami apo Denison, por ende të kuqtë nuk kanë mundur të plotësojnë këto dy kërkesa të bëra nga ana e stafit teknik. Në shumicën e rasteve trajneri Shehi e përqendron lojën në krahë dhe deri më tani nuk ka elementet e duhura për ta bërë këtë. Në klub po punohet për dy “uingera”, por ndeshja me Marsakslok po afrohet dhe koha nuk premton. Me pak fjalë, me ardhjen e Zguros dhe Pilotos, Partizanit të Europës tashmë i mungojnë vetëm… krahët.
TË TJERA LARGIME
Pavarësisht se s’është kthyer ende me ekipin, Mensah mund të quhet i larguar edhe pa e bërë këtë. Burime pranë klubit bëjnë me dije se Shehi e ka jashtë planeve ganezin dhe klubi pritet të kërkojë një zgjidhje për mbylljen e kontratës. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me Kekon, teksa më e komplikuar është situata e Mehmetit. Trajneri nuk e ka në plane, por klubi nuk e lë të lirë nëse nuk vjen ndonjë ofertë, pasi ka shpenzuar 100 mijë euro për ta blerë nga Erzeni.
FORMACIONI
Me lëvizjet e kryera deri më tani, formacioni i Partizanit pëson mjaft ndryshime. Duhet thënë se pavarësisht afrimit të tyre, blerjet do të duhet të luftojnë për të zënë një vend në formacion. Nga e majta, Shehi pritet t’i japë më shumë besim Buxhelajt, me Zguron, që renditet si alternativë luksi. Në qendër Bytyçi i rikthyer nga dëmtimi zë vendin e Sotës, teksa edhe Piloto më majën e sulmit s’llogaritet si titullar në situatën aktuale.