Rikthimi në Peshkopi ishte më i bukur nga sa e kishte menduar. Mes duartrokitjeve, dopietës, reshjeve të shiut dhe përqafimeve për të shkruar një romancë futbolli. Titulli është i thjeshtë: Xhuliano Skuka. Zemra e ndarë në dy pjesë sepse sfidonte skuadrën e vendlindjes së tij. Por me vërshëllimën e arbitrit, Skuka nuk ka miq, ka rivalë që i respekton dhe kërkon t’i mundë.

Ashtu bëri edhe këtë herë. Colella i besoi fanellën e titullarit dhe ishte një lojtar kyç për terrenin e vështirë. Topat e gjatë drejt tij ishin një zgjidhje e mirë. Skuka shënoi 2 herë në portën e Korabit, për herë të parë në karrierë. Flasim për gola zyrtarë sepse një tjetër e ka realizuar kur ishte me Dinamon dhe luajti miqësore ndaj dibranëve.

Sulmuesi i “Demave” ka reaguar ekskluzivisht për Oversport duke treguar emocionet e golave të shënuar. “Sigurisht që jam shumë i lumtur që realizova. U ndjeva mirë që ndihmova Partizanin, por në të njëjtën kohë më erdhi keq edhe për tifozët dibranë. I tillë është futbolli”, tha Skuka.

Në drejtim të tij vërshëojnë ofertat nga Italia. Colella u largua kur u pyet për të, ndërsa vetë Skuka shpjegon situatën dhe thotë se do të japë gjithçka për Partizanin. “Unë nuk dua të merrem fare me ofertën.

Është klubi ai që vendos dhe për momentin jam i Partizanit. Do të jap maksimumin për këtë fanellë deri në ditën e fundit”, përfundoi Skuka. Dibrani ka arritur të realizojë 10 gola në Superiores dhe 3 në Kupën e Shqipërisë deri tani.