Kanë nisur konsul timet publike për privatizimin e Flamurtarit. Bashkia e Vlorës ka zhvilluar një mbledhje për këtë çështje, ku merrnin pjesë grupe interesi, biznesmenë dhe ish–legjenda.

Por, të vetmit nga këta të fundit që iu përgjigjën thirrjes nga institucioni më i lartë në qytet, ishin Sokol Kushta, Vasil Ruci dhe Saimir Haxhiu. Pasi sekretari i Këshillit Bashkiak, Agron Gjipali, ka kujtuar se afati skadon në muajit korrik dhe juristi Daut Zëraj shpjegoi procedurën, nuk kanë munguar as debatet.

KUSHTA

Mjaft i ashpër ka qenë Sokol Kushta. Legjenda vlonjate e ka thënë hapur se janë bërë 15 vite që Flamurtarit nuk po i jepet një zgjidhje. “Mbaj mend se në 2005-2006 kam vajtur me Dautin (juristin e bashkisë) në gjykatë në Tiranë për të filluar disa procedura. Sot jemi në 2021-shin dhe të gjitha aksionet janë akoma në shtet.

Rreth 15 vjet ne nuk kemi marrë certifikatën e pronësisë, që është fillimi i shitjes së aseteve. Ne nuk kemi akoma A-në. Bashkia me kë është? E marrin me hapa të lehtë. Nuk më vjen mirë që kjo konferencë ka shumë pak pjesëmarrës, meqë e duan dhe futbollin.

Dashuria nuk kuptohet me fjalë, por me vepra. Secili të vendosë nga një tullë për të ndihmuar Flamurtarin. Nuk dimë asetet, nuk dimë borxhet, nuk dimë as edhe një pjesë tjetër. Investitori pyet për asetet, pavarësisht emblemës. A kanë ardhur kërkesa konkrete për të blerë Flamurtarin? A ka biznesmenë seriozë që kanë kërkuar aksione të këtij klubi të madh?

Ne kemi edhe borxhet që janë si vullkani që është poshtë e do gjejë një ditë një vrimë dhe do dalë, do plasë”, u shpreh Kushta, i cili menjëherë ka marrë një përgjigje nga juristi i bashkisë: “Nuk ka ndonjë kërkesë konkrete për privatizimin e klubit. Besoj se nuk mund të vijë pa nisur ne ndonjë procedurë”.