Pas dy takimeve të para të luajtura ditën e djeshme, sot do të luhen të tjerët e vlefshëm për Kupën e Shqipërisë dhe në fushë do të zbresë edhe Vllaznia.

Në orën 14.00 në fushën sportive “Reshit Rusi” ajo do të ndeshet me Kamzën, skuadër kjo e Superligës, ndaj të cilës do të kërkojë fitore.

Ndërkohë, mësohet edhe emri i arbitrit që do ta drejtojë këtë takim. Sektori i Arbitrimit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka përzgjedhur Orlando Kukën nga kryeqyteti për të arbitruar.

Ai do të ketë ndihmën e dy asistentëve po nga kryeqyteti dhe pikërisht të Denis Agarajt dhe Rejdi Zaimit. Arbitër i katërt ndërkohë do të jetë lezhjani Eldorian Hamiti.

Sakaq, vëzhgues i arbitrave është caktuar Mikel Shestani po nga kryeqyteti ndërsa delegat i Federatës për këtë takim do të jetë Bujar Pregja.

Vllaznia- Kamza konsiderohet një ndeshje “e nxehtë” për vetë problematikat që ajo ka mbartur nga sezoni i kaluar dhe mbase duhej të kishte një arbitër më me përvojë por të shpresojmë që ndeshja nuk ka për të patur probleme.
© shkodrasport.com