Ditën e sotme në Shkodër, do të zhvillohet një ndeshje miqësore me qëllim bamirësie për djaloshin shkodran Klevis Gjeluci, i cili prej tre javësh ndodhet në gjendje kome si pasojë e një aksidenti automobilistik.

Me iniciativë të kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit në Shkodër, Lazër Matija dhe Jetmir Podgoricës, drejtues i Shkodra Sport Event, do të organizohet një ndeshje mes veteranëve të futbollit të Prizrenit dhe të Shkodrës.

Kjo ndeshje do të zhvillohet ditën e sotme në fushën sportive “Zmijani”. Në fushë do të zbresin ish-futbollistë të mirënjohur të Vllaznisë dhe ekipit të Kombëtares, të cilët do të drejtohen nga trajnerët Fatmir Paçrami dhe Hysen Zmijani.

Të ardhurat nga dhurimet e pjesëmarrësve në këtë aktivitet, do të shkojnë për shërimin e Klevis Gjelucit, i cili ka qenë pjesë e grupmoshave të futbollit në Shkodër, por njihet edhe si një tifoz shumë aktiv me tifogrupin “Vllaznit Ultras”.

Klevisi dhe familja e tij Gjeluci njihen gjerësisht në Shkodër për edukatën, sjelljen e mirë dhe kulturën e treguar ndër vite në qytetin tonë, duke u bërë një shembull për t’u marrë nga të gjithë. Tashmë, nuk na mbetet gjë tjetër, vetëm t’i urojmë Klevisit shërim sa më të shpejtë…
Maringlen ZHIVANI