Atletika shkodrane në vite ka nxjerrë shumë emra të cilët i kanë bërë nder me paraqitjet e tyre të shkëlqyer si në pistë por edhe në drejtim. Njëri prej tyre është kryetrajneri aktual i ekipit të Vllaznisë Albert Marashi.

Dita e sotme në fakt është e veçantë për të sepse feston 39 vjetorin e lindjes dhe gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura. Një moshë e re por duket se ka një jetë që merret me këtë sport ngaqë vitet me të cilat merret ai dhe sukseset e shumta që ka arritur, flasin vetë.

Albert Marashi ka lindur në Shkodër më 3 korrik 1981 dhe e ka nisur sportin e atletikës që në moshën 13 vjeçare dhe do ta niste vrullshëm nën drejtimin e trajnerit të tij, të ndjerit tashmë Gëzim Mema duke arritur sukses pas suksese. Marashi ka qenë 10 vjet kampion i Shqipërisë në garat e 400 dhe 800 metrave.

Dhe me të mbaruar Institutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve në Tiranë, ka qenë pikërisht Mema ai që i ka besuar
detyrën e kryetrajnerit atij, ndonëse ishte vetëm 22 vjeç. Dhe që atëherë e deri më sot, ka vetëm suksese. Ekipi i Vllaznisë nën drejtimin e tij ka fituar titullin kampion thuajse çdo vit (11 vite rradhazi së fundi) dhe padyshim që Berti ka një kontribut të jashtëzakonshëm në to, bashkë edhe me trajnerët e tjerë.

Përveç detyrës së trajnerit, bën me shumë pasion edhe atë të mësuesit të edukimit fizik në Gjimnazin “Pjetër Meshkalla”, ndërkohë që vitet e fundit ka nisur të bëjë edhe detyrën e përgatitësit atletik dhe aktualisht punon me Akademinë “Djelmënia shkodrane”.

Çdo punë që ai bën, e kryen me shumë përkushtim dhe pasion. Një profesionist i vërtetë dhe një kuadër i cili natyrisht që i bën nder Sportklub Vllaznisë dhe Shkodrës me kontributin e tij që jep për sportin.
Gjergj KOLA