Dita e sotme është e shënuar për një nga emrat e njohur të futbollit shkodran të pasviteve ’90, Luan Zmijani. Ish- futbollisti kampion i Vllaznisë dhe tashmë trajner i tillë me ekipet e Akademisë, feston 44 vjetorin e lindjes së tij, një moment që ai kuptohet do ta ndajë me familjen dhe miqtë e tij.

Luan Zmijani ka lindur më 19 qershor 1976 në Shkodër dhe është angazhuar shpejt me futbollin duke mbërritur në sezonin 1993- 1994 tek ekipi i parë që në atë kohë drejtohej nga trajneri Astrit Hafizi. Fillon të luajë në formacion që në moshë të vogël dhe është një nga protagonistët e suksesit të vitit 1998 kur Vllaznia fitoi titullin kampion dhe mbrojtësi i djathtë ka kontributin e tij në këtë sukses.

Po ashtu ka dhënë kontributin e tij edhe tek titulli kampion i fituar në sezonin 2000-2001 ku Luani është në fushë si titullar në të 26 ndeshjet e tij dhe për këtë arsye shpërblehet me medaljen e dytë të kampionit.

Pas këtij suksesi, ai nuk do të arrinte akordin me drejtuesit e klubit për të vazhduar kontratën dhe për rrjedhojë do të largohej për tek Partizani me të cilin luan një sezon e më pas për gjashtë muaj tek Besëlidhja para se të rikthehej sërish tek Vllaznia në janar të vitit 2003.

Luan edhe një sezon tjetër në Shkodër dhe më pas kalon tek Egnatia e Rrogozhinës ku dhe do të mbyllte karrierën e tij sportive. Gjatë kësaj karriere ka qenë një lojtar titullar edhe në ekipin kombëtar U21, por ka luajtur edhe dy ndeshje me kombëtaren e madhe.

Pas lënies së sportit, Zmijani ka nisur punë si trajner duke qenë një nga më të sukseshmit tek Akademia Vllaznia me ekipet e të cilës ka arritur të fitojëe dhe disa trofe. Ndërkohë nga muaji mars deri në tetor të vitit 2015 ka drejtuar edhe ekipin e parë të Vllaznisë.

Gazeta “Shkodra Sport” i uron Luan Zmijanit edhe 100 vite të tjera të lumtura dhe po ashtu, edhe një karrierë sa më të suksesshme si trajner!
© shkodrasport.com