Tirana është shpallur fituese e Superkupës së Shqipërisë për herë të 12 pasi ka fituar një ndeshje dramatike ndaj Vllaznisë me shifrat 3-2 në “Air Albania”.

Sfida nis me një gol të shpejtë të Malës për kuqeblutë, ndërsa Tirana bëri për shumë minuta një lojë të vakët pa rrezikuar portën e Zogoviç. Megjithatë, barazimi do të vinte në mënyrë spektakolare me “gërshërën” e Patritk i cili dërgoi sferën në rrjetë duke mbyllur në barazim pjesën e parë.

Pjesa e dytë ishte shumë më e ndezur, sidomos pas golit të avantazhit të Hasanit për bardheblutë. Josa provoi gjithçka duke shtuar forcat në sulm dhe Vllaznia ia doli të barazonte me penallti falë Latifit. Por në shtesën e ndeshjes, Xhixha, i cili kishte qëndruar në qetësi dhe po bëhej gati të zëvendësohej nga trajneri Shehi, gjeti devijimin e duhur duke i dhënë suksesin 3-2 Tiranës dhe trofeun e radhës.

TIRANA-VLLAZNIA 3-2
40′ Patrik, 53′ Hasani, 90’+2′ Xhixha / 7′ Mala, 85′ (p) Latifi