Sponsori i Vllaznisë, Alban Xhaferi prmetoi pas barazimit 0-0 të shkodranve ndaj Partizanit se do të shpërndaje premio për skuadrën, edhe pse nuk ia doli të fitonte ndaj të kuqve. Pas takimit në “Elbasan Arena”, Xhaferi u shpreh se skuadra kuqeblu u ndihmua nga Zoti teksa në fund mund të kishin pësuar gol nga 16-herë kampionët e Shqipërisë.

“Ndeshja – Me thënë të drejtën, skuadra jonë luajti bukur pjesën e parë, por Partizani e ktheu lojën. Për mua ishte një ndeshje e hapur, por kushtet atmosferike e kushtëzonin zhvillimin e një futbolli jo të bukur. Mund të them se në fund ishte një rast i pastër për Partizanin, por deshi Zoti nuk përfundoi në rrjetë.

Mendoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë dhe tani presim ndeshjen e radhës për të luftuar fort dhe për të mbyllur fazën e dytë sipas objektivave.

Premio në rast fitore – Pa diskutim, lojtarët kanë derdhur djersë. Bënë një lojë të bukur dhe do e shpërblejmë edhe barazimin. Edhe ai është një rezultat i mirë.

Diferenca në renditje – Nuk duhet të merremi me pjesën e pikëve. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të vlerësojmë çdo ndeshje në mënyrë që të arrijmë objektivat. Gjithmonë edhe diferenca ngroh, por pa fluturuar.

Sezoni – Po bëjmë një lojë shumë të ndershme. Trajneri dhe lojtarët po arrijë një sukses të merituar. Deri në fund Vllaznia do eci deri në fund duke luftuar me dinjitet dhe ndershmëri”, u shpreh sponsori i Vllaznisë Alban Xhaferi.